Ilustrim
Uji nga Liqeni i Badovcit ende i papijshëm, ndonëse ka rënie të vlerës së manganit
Niveli i elementit kimik mangan në ujin që vjen nga Liqeni i Badovcit është ulur, megjithatë ende nuk ka arritur vlerën e duhur që të jetë i pijshëm, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
“Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të vikendit, vërehen ulje e vlerave të Manganit. Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta se sa vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 ‘Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu’” – thuhet në njoftim.
IKShPK thotë se do të vazhdojë ta monitorojë ujin edhe gjatë ditëve në vijim.
E deri në një njoftim tjetër, rekomandohet që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pije por të përdoret vetëm për higjienë personale dhe nevoja ambientale.
“Ju rikujtomë se Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, por në vlera të shtuara në ujin e pijshëm, sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeçe nëse përdoret për një kohë më të gjatë” – thuhet më tej në njoftim.
Instituti thotë se standardi është që vlera e lejuar është 0.05 miligramë në litër, ndërsa vlerat e regjistruara gjatë fundjavës kanë qenë nga 0.102 deri në 0.023 miligramë në litër.
Rekomandimet për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, sipas Institutit janë që të kontrollojë procesin e dezinfektimit në mënyrë që vlera e klorit (Cl) rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, të përcjellë ndotjen organike në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, të zbatojë procedurat standarde për trajtimin e ujit në situata si kjo, të shpërlajë rrjetin shpërndarës magjistral dhe segmenteve të vogla dhe të sigurojë ujë higjienik për pije për qytetarët.
KRU “Prishtina” ka vendosur autobotë me ujë të pijshëm në disa lokacione të kryeqytetit.