Ujësjellësi tregon sa u rrit niveli i ujit në Batllavë e Badoc pas shiut

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për gjendjen e liqeneve akumuluese Batllava e Badoci, pas reshjeve atmosferike në Kosovë gjatë ditëve të fundit.

Sipas njoftimit, në të dyja liqenet është rritur niveli i ujit por jo në sasi të madhe.

“Niveli i ujit në liqenin e Badocit është 640.35 m mbi nivelin e detit ose 9.50 m nën kuotën maksimale, ndërsa për shtatë ditë ka rritje prej vetëm 35 cm. Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 630.20 m mbi nivelin e detit ose 4.80 m nën nivelin e kapërderdhjes, ndërsa për shtatë ditë ka rritje prej 1.44 m”, thuhet në një njoftim në Facebook.

KRU “Prishtina” ka bërë apel te qytetarët që të kursehet uji.

“Uji është burim natyror shumë i nevojshëm për ekonomi dhe mirëqenien sociale, andaj t’i ruajmë dhe mbrojmë burimet ujore!”, thuhet në publikim.

Kurse, këtë javë në Kosovë moti do të jetë i ndryshueshëm. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se kjo javë do të karakterizohet me vranësira dhe intervale më të gjata me diell.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.