Ujësjellësi: Sistemi i vjetër dhe i ngarkuar i kanalizimit bënë që Prishtina të mos i përballojë reshjet

Ujësjellësi rajonal “Prishtina” ka njoftuar se pas reshjeve atmosferike është rënduar gjendja e funksionimit të kanalizimeve, sipas tyre kjo është si pasojë e rrjetit të vjetër dhe sistemit të përbashkët të kanalizimit.

“Linjat e Kanalizimit (ujërat fekale) në qytetin e Prishtinës janë në shumicë linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë me përpara. Sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta (atmosferike dhe fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit sidomos në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu, siç po ndodhë ditën e sotme,” thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim theksohet se Prishtina ka pësuar shumë ndryshime sa i përket ndërtimeve të larta, rritjes së banorëve dhe është dashur që autoritetet tjera të intervenojnë në infrastrukturë sepse kjo ndikon në ngarkesë të kanalizimeve.

“Përderisa, qyteti i Prishtinës pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime te larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, është dashtë që autoritetet tjera të intervenojnë edhe në infrastrukturën ekzistuese prandaj, kjo me automatizëm ndikon në ngarkesë më të madhe shkarkuese të sistemit të kanalizimit dhe përmbytje në shumë lokacione brenda qytetit,” thuhet tutje në njoftim .

Ujësjellësi gjithashtu ka theksuar se kanë buxhet të paraparë për riparim, puseta, zhbllokime dhe pastrime si dhe ka ekipet ne terren për mirëmbajtje të sistemit të kanalizimeve dhe ujërave të ndotura fekale por nuk i ndërton rrjetat e kanalizimeve pasi kjo nuk është përgjegjësi e tyre.

“Ujësjellësi i Prishtinës ka një buxhet të paraparë për investime ( riparim , puseta , zhbllokime, pastrime ) në këtë sektor, gjithsesi ka edhe ekipet profesionale që merren me mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve të ujërave të ndotura fekale por assesi nuk mirëmbanë as nuk ndërton rrjeta të kanalizimeve atmosferike pasi që kjo përgjegjësi e autoriteteve të tjera. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit të KRU,,Prishtina,, sh.a. janë të gatshëm çdoherë që tu dalin në ndihmë qytetarëve në rastet kur kemi të bëjmë me zhbllokime e pastrime të pusetave të ujërave fekale, por duhet të kihet parasysh që vërshimet pas reshjeve nuk ndodhin për shkak të punës dhe përgjegjësisë tonë!,” thuhet në njoftim.