Ujësjellësi ‘Prishtina’, thirrje konsumatorëve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u bën thirrje të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë që brenda 10 ditësh, duke filluar nga sot, që t’i përmbyllin obligimet financiare për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit për vitin 2019.

Konsumatorët kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat si dhe borxhin e akumuluar të ujit të shpenzuar, pasi vetëm në këtë mënyrë do t’iu shmangen  shkyçjeve dhe procedimit të lëndëve te përmbaruesit privatë.

Kompania iu ka ofruar bashkëpunim dhe lehtësira të ndryshme për pagesën e borxheve të mëdha të akumuluara, pagesë me këste mujore prej 12 deri në 36 muaj varësisht nga borxhi i tërësishëm, mirëpo shumë nga konsumatorët kanë refuzuar bashkëpunimin, thuhet në njoftim.

Për më tepër, Ujësjellësi “Prishtina” njofton konsumatorët se për çfarëdo ankese apo kërkese, ata duhet t’i drejtohen Departamentit për konsumatorë në KRU “Prishtina”, ku çdo ankesë apo kërkesë e tyre do të trajtohet me kujdes nga ana e këtij departamenti. /Rtklive