Foto: Ujesjellesi 'Prishtina', Facebook

Ujësjellësi "Prishtina" ankohet se kompanitë që rregullojnë rrugët po i mbyllin pusetat e kanalizimit

Ujësjellësi “Prishtina” për dy ditë rresht ka bërë të ditur se kompanitë që merren me rregullimin e rrugëve po i mbyllin pusetat e kanalizimeve.

Sipas kompanisë, mbulimi me asfalt, beton e kubëza po ua vështirëson punën në terren për gjetjen dhe zhbllokimin e pusetave.

Raste të tilla, sipas Ujësjellësit, janë hasur në rrugën ‘Shyqeri Koshtuvica’ ku puseta kishte qenë e mbuluar me beton.

Gjatë ditës së djeshme ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit mezi e zbuluan pusetën e fshehur nen kubezat e betonit në rrugën “Shyqeri Koshtuvica” në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Ujësjellësit.

Rast i ngjashëm është hasur edhe në rrugën ’Karadaku’, ku pusetat përpos betonit janë të mbushura edhe me mjete të forta e mbeturina të ndryshme.

Një gjendje e tillë sipas kompanisë e vështirëson funksionimin e mirëfilltë të rrjetit të kanalizimit.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Komuna nëse punimet e kompanive që rikonstruktojnë rrugë inspektohen dhe nëse është marrë ndonjë masë ndëshkuese, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Foto: Ujesjellesi ‘Prishtina’, Facebook
Foto: Ujesjellesi ‘Prishtina’, Facebook