Ujësjellësi paralajmëron ndërprerje të ujit në disa lagje të Prishtinës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët e lagjes “Bregu i Diellit” dhe “Matiqan”, në Pirshtinë, se pavarësisht mbajtjes së rregullt të furnizimit me ujë të pijshëm shpeshherë, për shkak të problemeve të krijuara nga palë të treta, vjen edhe deri te çrregullimi i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Duke e pasë parasysh faktin e ndërprerjes së stërzgjatur të energjisë elektrike në lagjen ” Bregu i Diellit” dhe kur kihet parasysh që fabrikat e trajtimit të ujit, stacionet e nënstacionet e pompave nuk funksionojnë pa energji elektrike , në stacionin e pompave në Mirëditë jemi duke punuar/ funksionuar vetëm me gjeneratorë”, thuhet në njoftim.

Ujësjellësi ka bërë të ditur se kur ndërprerja e energjisë elektrike është e tejzgjatur atëherë kapaciteti i gjeneratorëve që ka KRU nuk i përballon mbajtjes së funksionimit të mirëfilltë të pompave, konkretisht në rezervuarin e Mirëditës.

“Deri më tash e kemi mbajtur mjaft mirë, por tash e tutje nëse ka mungesë të energjisë elektrike edhe më tej, ju njoftojmë se do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në lagjen ” Bregu i Diellit” dhe ” Matiqan”, thuhet në njoftim.

KRU u ka kërkuar ndjesë dhe mirëkuptim nga ana e konsumatorëve.