
Ujësjellësi në Mitrovicë u bën thirrje konsumatorëve t'i paguajnë faturat
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” u bën thirrje qytetarëve të Rajonit të Mitrovicës t’i paguajnë me rregull faturat e ujit të pijshëm.
“Pagesa e rregullt e faturave të ujit të pijshëm është detyrë dhe përgjegjësi e secilit prej nesh. Me këtë veprim të thjeshtë, ju ndihmoni në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë komunitetin tonë.” – thuhet në njoftimin e datës 27.12.2024.
Sipas kësaj Kompanie, nëse pagesat bëhen me kohë, “kontribuohet në mirëmbajtjen e rrjetit të furnizimit me ujë, sigurimin e ujit të pastër e të pijshëm dhe investimet në projekte për zhvillimin e infrastrukturës ujore”.
“Përgjegjësia juaj sot garanton cilësi dhe shërbime më të mira nesër. Paguani faturat e ujit për të mirën e të gjithëve!” – janë thirrjet e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.
KALLXO.com kishte raportuar, më 23.12.2024, se ekipet e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” po vazhdojnë me shkyçjet e borxhlinjve, të cilët ende nuk i kanë shlyer borxhet e tyre ndaj Ujësjellësit.
Kjo Kompani, edhe më 16.12.2024, u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që kanë detyrime të papaguara që t’i shlyejnë ato para Vitit të Ri.
KRU “Mitrovica” vazhdon shkyçjet për konsumatorët borxhlinj