Foto: Kompania Rajonale Ujësjellësi "Mitrovica"
Ujësjellësi “Mitrovica” njofton se ka nis furnizimin me ujë të pijes
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se ka nis furnizimi me ujë.
Në njoftim, ujësjellësi ka bërë thirrje që të përdorët uji në mënyrë racionale.
“Ju njoftojmë se në këto çaste kemi filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit, por me kapacitet të reduktuar” – thuhet në njoftim.
“Furnizimi me ujë të pijes fillimisht do arrijë tek konsumatorët të cilët gjenden të pika të ulëta e gradualisht uji do të arrij edhe në kate të larta të banesave kolektive. Lusim konsumatorët të që të përdorin ujin sa më racionalisht në mënyrë që rrjeti të mbushet sa më shpejt me ujë të pijes e me këtë t’u mundësohet të gjithëve të kenë qasje në ujë të pijes” – thuhet në fund të njoftimit.
Uji i pijes për rajonin e Mitrovcës u ndal pasi u dëmtua nga një shpërthim kanali i “Ibër-Lepenit” më 29.11.2024.
Institucionet e Kosovës e kanë quajtur sulm terrorist dëmtimin e kanalit.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete nga Bashkimi Europian. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.