Ujësjellësi i Prishtinës i dërgon te përmbaruesi rreth 1000 lëndë të borxhlinjve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “ Prishtina ”  ka njoftuar se kanë filluar me procedimin e konsumatorëve borxhlinj në procedurë përmbarimore tek përmbaruesit privat, kjo vlen për konsumatorët me borxhe mbi 100 euro.

Sipas një njoftimi, për një muaj janë dërguar rreth 1000 lëndë, e që janë duke përgatitur edhe lëndë të tjera të borxhlinjve.

“Për një muaj ( janar-shkurt 2021) janë dërguar rreth 1000 lëndë të borxhlinjve te Përmbaruesit Privat ( kryesisht sektorin e bizneseve), me ç ‘rast zyra ligjore është duke përgatitur vazhdimisht edhe lëndë të tjera për procedurë përmbarimore. Inicimi i kësaj procedure përmes Përmbaruesve Privat do të krijonte shpenzime shtesë për ju dhe do të vështirësonte përmbushjen e obligimit tuaj duke paguar taksën shtesë”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.

Sipas tyre, është një ndër institucionet e fundit që po merret me dërgimin e lëndëve te Përmbaruesit, për shkak që kanë pasur konsideratë për periudhën e pandemisë.