Ujësjellësi apelon për shfrytëzim racional të ujit

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që ta shfrytëzojnë ujin sa më racionalisht në këto ditë shumë të nxehta.

Sipas kësaj kompanie, kërkesa për ujë të pijshëm gjatë ditës së sotme është rritur shumë mirëpo, siç thonë ata, furnizimi me ujë të pijshëm është stabil.

“Po mbretërojnë temperatura të larta në vendin tonë. Kërkesa për ujë të pijshëm sot ka filluar të rritet jashtëzakonisht. Furnizimi me ujë të pijshëm është stabil. Shpenzoni racionalisht ujin, që mos të kenë problem pikat e larta të furnizimit. Faleminderit për mirëkuptim!”, thuhet në njoftimin e K.U.R. “Prishtina” të publikuar në rrjetin social “Facebook”.