Ujërat e zeza përballë Komunës së Fushë Kosovës, hall i madh për banorët e zonës

Banorët dhe bizneset e lagjes Bresje të Fushë Kosovës janë në hall me kanalizimin që po ua dëmton pronat e tyre.

Kjo lagje është para syve të Komunës, por problemi me kanalizimin këta banorë thonë se e kanë që 10 vite.

Faton Topilla, që ka biznesin në të njëjtën lagje, tregon se për shkak të ujërave të zeza i janë dëmtuar pajisjet.

“Kryesisht biznesi jemi është librari i kam pajisjet, fotokopjet të gjitha, katër pesë copa të dëmtuara prej ujit të kanalizimit, inventari i lokalit është komplet i dëmtuar”, ka thënë Topilla.

Sipas, zyrtarit për informim në Komunën e Fushë Kosovës, arsyeja e depërtimit të kanalizimit në prona të banorëve është për shkak të pozitave që kanë këto ndërtesa.

“Këto banesa janë ndërtuara para luftës, për shkak të konfiguracionit, pozitës që kanë atje, sesa pozitës së ulët sigurisht çdo reshje ndikon dhe këtu grumbullohet sasi të mëdha të ujit të cilat krijohen në ujëra të zeza dhe kundërmojnë”, është shprehur Topalli.

Ndërsa Haki Grajçevci, banor në këtë lagje tregon se ujërat e zeza i depërtojnë në garazhin e tij.

“Gjithçka është shkatërruar këtu, sidomos në këtë pjesën e garazhit është e shkatërruar janë dëme bajagi të mira, por problemi më i madh se nuk e di ku e ka fundin kjo fatkeqësi e jona”, ka thënë Grajçevci.

Në anën tjetër zëdhënësi Topalli, tregon se ndër vite kanë aplikuar forma të cilat nuk kanë pasur rezultat.

“Kur e kemi pa se është një problem i pa zgjidhshëm ajo formë e deri tashme, atëherë kemi hap procedurat e tenderimit dhe me datë 18 të këtij muaji bëhet hapja e ofertave dhe fituesi i projektit do të fillojnë punimet sipas afateve ligjore”, ka thënë Topalli.