Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ujdia mes Kosovës dhe Serbisë parasheh largimin e barrikadave dhe Njësisë Speciale dhe vendosjen e KFOR-it

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka dhënë detaje rreth marrëveshjes së arritur në parim me palën serbe lidhur me çështjen e targave të automjeteve.

Sipas Bislimit, marrëveshja parasheh që të shtunën Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e vendosur te pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të zëvendësohet nga KFOR-i, gradualisht me heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

“Marrëveshja parasheh tri elemente, e para është që nga dita e hënë, si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave, afishet në vend të ndërrimit të tabelave, kjo ka qenë edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Kjo zgjidhje do të jetë e përkohshme sepse do të krijohet një grup punues i cili ka për qëllim të gjejë të një zgjidhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave mes vendeve. Dhe pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve, KFOR do të zëvendësohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, tha Bislimi të mërkurën para mediave në Bruksel.

Besnik Bislimi thotë se kanë arritur marrëveshje në parim me palën serbe për targat

Sot është dita e 10-të prej kur Qeveria e Kosovës vendosi që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë.

Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Menjëherë pas vendimit, afër dy pikave kufitare u vendosen forcat speciale të Policisë së Kosovës.

Vetëm pas tetë ditësh bllokadë, KFOR nisi që të patrullojë në veri të vendit.

Ndërkohë, që forcat e rendit të Kosovës qëndronin në pikat e tyre pranë kufirit me Serbinë, ky shtet shtoi prezencën e ushtrisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

Madje, disa ditë, pati edhe lëvizje të aeroplanëve ushtarakë e helikopterëve.

Një propozim për zgjidhjen e bllokadës ishte dhënë se fundmi nga komandanti i KFOR-it, por siç u tha nga Qeveria e vendit, ai ishte refuzuar nga pala serbe.