Uglanin e njofton Kurtin me kërkesën e Sanxhakut për status special

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në takim liderë të Sanxhakut.

Kurti është takuar me kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), Sylejman Uglaninin, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i kësaj partie, Salih Hoti, sekretari i përgjithshëm Ahmedin Shkrijel, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Nacional të Boshnjakëve, Mirza Hajdinoviq dhe kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi.

Në njoftimin e VV-së thuhet se në këtë takim miqësor, Uglanin e ka uruar Kurtin për zgjedhjet demokratike dhe fitoren e VV-së në zgjedhjet e 6 tetorit, duke shprehur edhe dëshirën e tij që institucionet dhe qeveria e re të formohen sa më shpejtë.

Kurse, Kurti e ka falënderuar Uglanin për urimin dhe vizitën dhe e njoftoi atë me situatën politike në Kosovë.

“Punësimi dhe drejtësia për të gjithë dhe pa dallime janë dy synimet kryesore që i lidhin njerëzit dhe e përparojnë vendin”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, Sylejman Uglanin e ka njoftuar kreun e VV-së për kërkesën për status special për Sanxhakun.

Mes tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen në Sanxhak, për pozitën e shqiptarëve dhe boshnjakëve atje, si dhe për aspiratat e tyre për punë e zhvillim drejt një jete të dinjitetshme e pa diskriminim nga Beogradi.

Në fund është thënë se Kurti dhe Uglanin u pajtuan që dëbimi dhe krimet ndaj komuniteteve joserbe në Sanxhak duhet të grumbullohen e të paraqiten botërisht në mënyrë që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën por edhe të detyrohet ta ndalë diskriminimin.