UEFA i dërgon letër FFK-së për Agim Ademin

Një letër e UEFA-s është pranuar sot nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Kjo letër, sipas kryetarit të FFK-së, është konfirmim se ndaj tij nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë vendim ndalese.

Ademi para dy ditësh përmes një sqarimi kishte reaguar ndaj disa publikimeve lidhur me një draft vendim të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i cili sipas Ademit është i vitit 2020, ku ishte propozuar për të marrë një vendim ndaj tij.

Ademi kishte thënë se një vendim i tillë asnjëherë nuk ishte marrë dhe se nuk kishte hyrë në fuqi.

“Rrjedhimisht asnjëherë s’ka pas vendim dënues nga UEFA ndaj meje”, ishte shprehur ai.

Në anën tjetër, sot gjatë ditës i pari i FFK-së tha se ky draft vendim, i cili sipas tij kishte qarkulluar në disa media, nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë efekt juridik pasi, sipas Ademit, vendimi ishte anuluar nga vetë organi përkatës i UEFA-s.

Një gjë e tillë Ademi ka thënë se ka ndodhur pasi Gjykata Supreme e Kosovës me anulimin e aktgjykimeve, respektivisht kthimit të çështjes në rivendosje, kishte gjetur se përfundimet e instancave tjera gjyqësore nuk ishin të bazuara në prova dhe fakte.

“Gjykata kishte nxjerr konstatime rreth pafajësisë sime në këtë çështje”, shpjegon Ademi.

Tutje ai ka thënë se shantazhet dhe të pavërtetat, që sipas tij, janë të individëve që kanë përfituar nga FFK-ja pa meritë, nuk mund të ndalin FFK-në dhe as atë në avancimin e futbollit të Kosovës.