Ilustrim: Pixabay
UEFA e dënon Serbinë - përfshirë për tentimin e tifozëve për ta djegur flamurin shqiptar
Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, e ka dënuar të premten, më 13.12.2024, Federatën e Futbollit të Serbisë ‘për sjellje raciste të tifozëve serbë në dy ndeshje të Ligës së Kombeve’ – përfshirë për përpjekjet e tyre për ta djegur flamurin e Shqipërisë në Zvicër.
Vendimi u bë i ditur të premten, më 13.12.2024, pak orë para se shorti i FIFA-s i vuri Serbinë e Shqipërinë në të njëjtin grup kualifikues për Kupën e Botës 2026 – që nënkupton se ato do të përballen ndërmjet vete dy herë, vajtje-ardhje.
Të hënën, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pritet të konfirmojë se Serbia e Shqipëria do ta organizojnë bashkërisht Kampionatin Evropian të Futbollit për nën 21 vjeçarët në vitin 2027.
Gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi në Nëntor, tifozët serbë u xhiruan duke tentuar t’ia vënë zjarrin një flamuri të Shqipërisë.
Kombëtarja zvicerane ka futbollistë, të cilët kanë lidhje familjare me Shqipërinë apo Kosovën – përfshirë kapitenin e saj, Granit Xhakën.
UEFA tha se Komiteti i saj Disiplinor e akuzoi Federatën e Serbisë për “sjellje raciste dhe/apo diskriminuese” në Zvicër, më 15.11.2024, si dhe në shtëpi kundër Danimarkës tri ditë më vonë.
UEFA tha se ia ndaloi Federatës Serbe të shesë bileta për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares jashtë vendit, në garat e UEFA-s. Si dhe, e urdhëroi të mbyllë pjesë të Stadiumit për dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi.
UEFA gjithashtu e ka gjobitur Federatën Serbe me 173.000 euro në total.
Serbia është dënuar nga UEFA edhe në të kaluarën – për incidente të ngjashme.
Ndeshjet mes Serbisë e Shqipërisë, në kualifikimet e vitit të ardhshëm për Kupën e Botës, do të jenë të parat prej se ato u takuan në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2016.
Ndeshja në Beograd, në Tetorin e vitit 2014, u braktis në mënyrë kaotike – pas futjes së një droni, që bartte një flamur nacionalist shqiptar mbi fushë./REL