Udhëzuesi i ri: Kush dhe kur duhet të testohet për COVID-19?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse​ të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Strategjinë e testimit laboratorik dhe ritestimit si dhe në strategjinë e testimit të ECDC të datës 27 maj 2020, ka rekomanduar që të bëjë përditësimin e strategjisë së testimit dhe ritestimit për coronavirus.

Ministria e Shëndetësisë thotë se udhëzuesi ende nuk ka hyrë në fuqi, por i njëjti vetëm është dërguar për komente.

“Rekomandimet e lartpërmendura do të shqyrtohen nga Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve ngjitëse për t’u bërë pjesë e Strategjisë së përditësuar të testimit dhe ri-testimit për Covid-19”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

KALLXO.com e ka siguruar dokumentin trefaqësh që tregon se kush dhe kur duhet të testohet për COVID-19.

Dokumenti nis duke treguar rrethanat që kanë cuar në ndryshim të strategjisë së testimit.

“Me rritjen e numrit të rasteve të detektuara në dy javët e fundit si dhe largimin e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve të Kosovës, kapacitetet laboratorike janë të kufizuara për testim të çdo kontakti eventual të rasteve të konfirmuara me COVID 19. Bazuar në rekomandimet e OBSh dhe ECDC, konform situatës epidemiologjike aktuale dhe kapaciteteve laboratorike të kufizuara, në vijim janë përcaktuar kriteret për testim në COVID 19”, thuhet në fillim të këtij udhëzuesi.

Përkufizimi i rastit për testim në SARS CoV-2

Testimi laboratorik për COVID-19 do t’i bëhet “pacientëve me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërin këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymëzënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shqisës së nuhatjes), ageusia (shijes) ose imazheri radiologjike që tregojnë lezione kompatibile me COVID-19”.

Por, këta persona duhet të kenë histori udhëtimi ose vendbanimi në një vend/zonë, ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave ose janë “kontakt i ngushtë me rast të konfirmuar ose të mundshëm COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave”. Përvec tyre, do të testohet edhe personi me simptoma të tilla dhe që kërkon hospitalizim apo është banor ose anëtar i stafit, në një institucion rezidencial për personat e ndjeshëm, në 14 ditët para fillimit të simptomave.

Rekomandimet për testim

1. Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe repartet e dedikuara për pacient me COVID-19;

2. Pacientët në repartet e Pulmologjisë dhe Kujdesit Parësor Shëndetësor me infeksione të rënda respiratore;

3. Personeli shëndetësor me shenja dhe simptoma të infeksionit si dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS CoV-2;

4. Kontaktet e afërta të personit COVID-19 pozitiv, të cilët kanë shenja dhe simptoma të COVID-19;

5. Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlçisë, hipertension, diabet dhe gjendje imunokompromituese) të cilët kanë shenja të infeksionit akut respirator;

6. Të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje);

7. Shtetasit e Kosovës të cilët udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor duhet të kenë dokumentacionin mjekësor valid përcjellës nëse kërkohet testimi nga shteti në të cilin udhëtojnë

8. Nuk testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë;

Rekomandim i përditësuar për ritestim për SARS-CoV-2

Në udhëzuesin e përgatitur, e që ende është në formë të draftit, thuhet se në kuadër të menaxhimit klinik të Udhëzuesit të Përkohshëm COVID-19 të botuar më 27 maj 2020, OBSh ka përditësuar kriteret për lirimin nga izolimi të pacientëve me COVID-19.

Në udhëzues thuhet se këto kritere vlejnë për të gjitha rastet e COVID-19 pavarësisht nga vendndodhja e izolimit ose nga ashpërsia e sëmundjes.

Kriteret për lirimin e pacientëve nga izolimi (d.m.th., ndërprerja e masave paraprake të bazuara në përhapje) pa kërkuar ritestim:

– Për pacientët simptomatikë: 10 ditë pas fillimit të simptomave, plus së paku 3 ditë shtesë pa simptoma (pa temperaturë dhe pa simptoma të frymëmarrjes)

– Për raste asimptomatike: 10 ditë pas testit pozitiv për SARS-CoV-2

Në këtë udhëzues është dhënë edhe një shembull ilustrues.

“Nëse një pacient ka simptoma për dy ditë, atëherë pacienti mund të lirohet nga izolimi pas 10 ditësh + 3 = 13 ditë nga data e fillimit të simptomave; për një pacient me simptoma për 14 ditë, pacienti mund të lirohet (14 ditë + 3 ditë =) 17 ditë pas datës së fillimit të simptomave; për një pacient me simptoma për 30 ditë, pacienti mund të lirohet (30 + 3 =) 33 ditë pas fillim të simptomave)”, thuhet në udhëzuesin e përgatitur nge Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Ministrisë së Shëndetësisë.

Cila është arsyeja e ndryshimit?

Në këtë udhëzues thuhet se aplikimi i standardit të dy testeve brenda 24 orëve që të konstatohet shërimi i plotë nga virusi është vështirë i aplikueshëm.

“Në konsultimet me rrjetet globale të ekspertëve dhe Shtetet Anëtare, OBSH ka marrë informacione që rekomandimi fillestar për lirimin e pacientëve pas dy testeve negative RT-PCR në distancë kohore së paku 24 orë, për shkak të furnizimeve të kufizuara laboratorike, pajisjeve dhe personelit në vendet ku ka përhapje intenzive, ka qenë jashtëzakonisht  vështirë të aplikohet, veçanërisht për raste jashtë ambienteve spitalore”, thuhet në këtë udhëzues.

Sfidat të cilat janë shfaqur për shkak të përhapjes së COVID-19 në komunitet, sic thuhet në Udhëzues, janë:

– Periudha të gjatë e izolimi për individët me detektim të zgjatur të ARN virale pas kalimit të simptomave, duke ndikuar në mirëqenien individuale, sociale dhe qasjen në kujdesin shëndetësor.

– Kapaciteti i pamjaftueshëm i testimit për të përmbushur kriteret fillestare të lirimit në shumë pjesë të botës.

– Ngarkesa virale e zgjatur e kufirit të detektimit, duke pasur rezultate negative të përcjellura nga rezultatet pozitive, të cilat sfidojnë në mënyrë të panevojshme besimin në sistemin laboratorik.

Në fund të këtij udhëzuesi thuhet se vetëm përsonat që janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive do të “lëshohen nga spitali sipas kritereve klinike-imazherike dhe jo me dy teste PCR të njëpasnjëshëm negativ brenda 24 orëve”.

Ky udhëzues, sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë, ende është në formë të draftit dhe i njëjti ende nuk është duke u zbatuar.