Udhëzues për gazetarët dhe punëtorët e mediave për raportimin për COVID-19

Në bashkëpunim me Klinikën Infektive në Prishtinë, KALLXO.com ka përgatitur disa këshilla praktike për gazetarët dhe punëtorët e mediave në lidhje me masat, sigurinë, higjienën dhe kujdesin gjatë raportimit për pandeminë COVID-19.

Manuali është përgatitur për të ndihmuar gazetarët në identifikimin e lajmeve të rreme dhe informacioneve të pasakta në kohën e pandemisë.

Në mënyrë që gazetarët dhe punëtorët e tjerë të mediave të vazhdojnë të kryejnë misionin dhe punën e tyre – informimin e qytetarëve, ata duhet të ndjekin disa udhëzime të përgatitura në bashkëpunim me profesionistë shëndetësorë për të mbajtur larg armikun e padukshëm.

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët e terrenit, janë ndër më të rrezikuarit nga infektimi me virusin COVID-19. Përveç vendosjes së maskës, dorëzave dhe dezinfektimit të duarve, ata duhet të ndjekin edhe disa hapa të tjerë në mënyrë që mos t’i shtohen listës së personave të infektuar me coronavirus.

Mbështjellja dhe dezinfektimi i mikrofonave, vendosja e sfungjerëve të lagur me tretësira të klorit në hyrje te objekteve, intervistat online dhe mbajtja shënim e personave të kontaktit, janë vetëm disa nga rekomandimet të cilat duhet të ndiqen nga ta, e të cilat mund t’i gjejnë në këtë udhëzues.

Përveç masave higjienike, udhëzuesi përmban edhe rekomandime në lidhje me gjuhën e cila duhet të përdoret nga gazetarët gjatë raportimit për pandeminë COVID-19.

Në mënyrë që mos të ketë publikim të lajmeve të rreme, gazetarët duhet t’iu referohen fakteve dhe jo thashethemeve të cilat janë të pakonfirmuara.

Persona, media e profile të ndryshme të paverifikuara në rrjete sociale, kanë shfrytëzuar ditët e pandemisë për të shpërndarë lajme të rrejshme, informacione të pakonfirmuara, lajme të pabazuara në fakte shkencore e artikuj hipotetik, të cilët kanë ndjellë frikë dhe panik te qytetarët.

Ky udhëzues përmban disa rekomandime të cilave duhet t’i përmbahen mediat dhe gazetarët në mënyrë që t’i shmangen kësaj gjuhe gjatë transmetimit të lajmeve te publiku.