
Notuesi turk Mete Hacıfazlıoğlu dhe notuesja shqiptare Nina Humolli, Foto: Selim Latifi/KALLXO.com
Udhëtimi nëpër ujë që po shpërfaq marrëdhënie etnike të shoqërueshme në Prishtinë - VIDEO
Vajza e djem të rinj që mësojnë notin në Kosovë vijnë nga shtete të ndryshme dhe kanë kohë që kalojnë bashkë me shqiptarët brenda e jashtë ujit të pishinave në kryeqytet.
Nina Humolli është një notuese shqiptare 12-vjeçare nga Prishtina, e cila i ushtron aftësitë e saj në not në një qendër sporti private në Prishtinë. Bashkëmoshatari i saj, Mete Hacıfazlıoğlu është notues turk dhe ushtrojnë së bashku në grupin e njëjtë të notit.
Në mbrëmjen e datës 30 janar, në ‘STEP Sport Center’ trajnerët e notit janë gati t’i presin notuesit e grupeve të tyre duke i përgatitur me pajisjet e nevojshme për notim – syzet, kapela, ndërsa notuesit kanë veshur kostumet e notit me kohë.
Notuesit fillimisht do t’i realizojnë disa ushtrime të trupit para se të hyjnë në ujin e pishinës së STEP për ta ekzekutuar ushtrimin e notit që kanë planifikuar trajnerët. Pishina është 25 metra dhe e mbuluar- brenda Qendrës së sportit.
Ushtrimet e trupit i udhëheq një nga notuesit e grupit, të cilin e përcjellin të tjerët se cilin ushtrim e realizon. E gjatë këtyre ushtrimeve, trajneri i notit vëzhgon realizmin e tyre.
Trajnerja e notit në ‘STEP Sport Center’, Elona Tovërlani tregon se mësimi i notit përfshinë edhe të rinj të komuniteteve të ndryshme, jo vetëm shqiptarë.
“Mësimi i notit në këtë Qendër, jo vetëm me notuesit shqiptar, por edhe me notuesit e komuniteteve të ndryshme dhe të shteteve të ndryshme është shumë i lehtë e kjo na lehtësohet shumë kur ne përveç që kur i shpjegojmë ushtrimet në gjuhën shqipe, i shpjegojmë edhe në gjuhën angleze dhe shumica e tyre e kanë shumë të lehtë t’i kuptojnë ushtrimet” – ka thënë Tovërlani.
“Kemi edhe fëmijë të cilët janë nga Holanda, Ukraina nga Bosnja dhe Serbia” – ka shtuar ajo.
Kjo përzirje e nacionaliteteve në një grup të mësimit të notit ka gjetur vend në STEP, që kur është formuar në vitin 2014. Madje, ka prej notuesve që e vizitojnë STEP tash e katër vjet, kurse kanë filluar ta mësojnë notin në moshë të hershme.
Janë prindërit e notuesit turk 12-vjeçar, Mete Hacıfazlıoğlu që e kanë mësuar atë not që kur ishte pesë vjeç.
“Prindërit e mi e mësuan vëllain tim si të notonte kur ai ishte pesë vjeç, kështu që ata e bën të njëjtën gjë me mua” – ka thënë Hacıfazlıoğlu.
Hacıfazlıoğlu tregon se komunikon me fëmijët e tjerë që notojnë në STEP përmes gjuhës angleze. Me shqiptarët thotë se flet kur i bëjnë ndonjë pyetje ose kur i nevojitet diçka.
Sipas 12-vjeçarit, shqiptarët ia japin ndjesinë që ndihet rehat me ta, pavarësisht se nuk i takojnë të njëjtit komunitet. Hacıfazlıoğlu tha se jeton në Kosovë që kur ka lindur.
“Jo, nuk mendoj kështu (se ndjehem ndryshe) meqë këtu kam jetuar gjithë jetën, është sikur të jetojë këtu, si në Turqi” – ka treguar Hacıfazlıoğlu.
Katër vjet të stolisura me suksese në ujë
Hacıfazlıoğlu mendon se është një aftësi të dish të notosh, sepse kur është në plazh mund ta mbajë veten.
“Më pëlqen (të vijë këtu), sepse mësoj gjëra të reja rreth aktiviteteve të ndryshme sikur noti dhe mësoj aftësi të ndryshme” – tha Hacıfazlıoğlu.
Notuesi 12-vjeçar ka një notues mjaftë të veçantë të cilin e ndjek dhe dëshiron të bëhet si ai në not.
“Vëllai im, ai notonte këtu dhe me të vërtetë i adhuroja shkathtësitë e tij dhe dëshiroj të bëhem si ai” – ka thënë me plot emocion ai.
12-vjeçari ua ka rekomanduar edhe fëmijëve tjerë që të mësojnë notin në STEP, ani pse ka notues nga shtete të ndryshme.
Hacıfazlıoğlu ka sfiduar veten edhe në garat e notit që janë organizuar nga ‘STEP Sport Center’ në Kosovë. Në vitin 2024 kishte korrur tri sukese në këto gara.
“Ishte 2024 kur unë i fitova tri medalje të arta në tri aktivitete të ndryshme të notit. Ishte stili: ‘i lirë’, ‘bretkosë’ dhe ‘flutur’” – ka treguar Hacıfazlıoğlu.
Ashtu si Hacıfazlıoğlu edhe notuesja shqiptare, Nina Humolli kishte shkëlqyer në garat e notit të mbajtura në vitin 2024 në Maqedoni të Veriut.
“Njëherë (më 2024) në Maqedoni për 50 krol e kam fitu vendin e tretë. Në të ardhmen mendoj me shku në Olimpiadë (të notit) edhe gara tjera, ndoshta tjetër kund në Evropë, jo veç në Maqedoni e Kosovë” – ka thënë Humolli.
Humolli shoqërohet me notuesin turk Hacıfazlıoğlu dhe komunikojnë mes vete në gjuhën angleze. Ajo thotë se njihet edhe jashtë notit me notuesit e nacionaliteteve tjera që shkojnë në STEP.
Ajo kujton se që kur ishte dy vjeç kishte filluar ta mësojë notin, ndërsa shkon në ‘STEP Sport Center’ qe katër vjet.
“Shumë janë krenar për not edhe të gjithë dojnë me vazhdu une notin” – ka treguar Humolli për mbështetjen që merr nga prindërit për notin.
“Do herë kur kam pas shumë pushim, s’kam ardhë qe shumë herë, kam pas vështirësi se kondicioni edhe do herë që jam lodhë në klasë, po tani e kam marrë prapë kondicionin edhe tani ma mirë” – ka folur për sfidat e saj në not.
“Kur fillon, ti dëshiron të notosh më shumë”
Notueses tjetër me prejardhje turke, Miray Ece Doğan i pëlqen noti sepse për të është tërheqës dhe është kënaqësi kur noton. “Kur fillon, ti dëshiron të notosh më shumë” – thotë Doğan.
Edhe Doğan ka filluar mësimin e notit qysh në moshën pesë vjeçare. Në STEP noton qe një vit, kurse brenda një muaji shkon tetë herë për mësimet e notit.
“Ata (trajnerët e notit në STEP) më trajtojnë mua shumë mirë, ata shpjegojnë gjithçka. Kur unë nuk i kuptoj, ata më shpjegojnë përsëri” – ka thënë Doğan.
10-vjeçarja tha se noton bashkë me grupin ku mëson not, në të cilin ka më shumë shqiptarë dhe flet ndonjëherë me ata që dinë gjuhën angleze.
“Jo, nuk kam ndonjë problem që të tjerët (notues) nuk janë nga Turqia. Më pëlqejnë shumë njerëzit nga shtetet tjera” – ka shtuar ajo.
“Në shkollën tjetër ne shkojmë në mësime noti po ashtu dhe mësuesi im më thotë se unë notoj shumë mirë dhe kjo më ka tërhequr që të vij këtu” – tha Doğan.
Kur është pyetur nëse do të vazhdonte të vijë në STEP për të notuar edhe pas pesë vitesh, ajo e ka pohuar duke shtuar “nëse prindërit e mi nuk planifikojnë të zhvendosen në Turqi”.
Ece dëshiron të bëhet një notuese profesionale dhe nganjëherë, por jo çdo ditë, noti për të është një sfidë.
Notuesi nga Irlanda Veriore, i cili është 8 vjeç, Ethan Mannis gjen mbështetje nga prindërit po ashtu për t’u marr me not.
Edhe Mannis flet anglisht me notuesit tjerë që i ka në grupin e notit në STEP dhe ka treguar se çka bisedon me ta. Prapa kamerave ai tha se bisedojnë edhe për mësuesit e notit në STEP.
“Cili është ekipi yt i preferuar në futboll, si e ke emrin, çka ju pëlqen atyre” – janë bisedat e tij me notuesit shqiptarë dhe të tjerët.
“Në sport nuk ka vend për diferencë mes nacionaliteteve”
Edhe Tovërlani si trajnere e notit në ‘STEP Sport Center’ tregon se i ka parë notuesit e nacionaliteteve të ndryshme duke komunikuar anglisht me shqiptarët.
“Sidomos notues të cilët kanë dy-tri vite që notojnë me grupin e njëjtë, tani më ata shoqërohen mes vete, notojnë bashkë, i kryejnë ushtrimet bashkë. Kanë raporte shumë të mira dhe ndihen të pranuar, të shoqëruar me njëri-tjetrin” – ka thënë Tovërlani.
Sipas Tovërlanit, prindërit e notuesve të nacionaliteteve të ndryshme nuk e kanë problem që fëmijët e tyre mësojnë notin me notues shqiptarë dhe të tjerë.
“Përkundrazi, se e dinë që në sport kjo gjë është d.m.th. që vërehet më së pakëti – diferencë që bëhet, ka diferencë mes nacionaliteteve të ndryshme – në sport nuk ka vend për këtë mendim” – ka theksuar Tovërlani.
Tovërlani tha se fëmijët mësojnë not deri në tri herë në javë, por ka edhe deri në pesë herë. Ajo ka deklaruar se thuajse në çdo grup të notuesve ka ndonjë fëmijë të nacionalitetit tjetër.
“Ata çka m’bën me mendu ndoshta që kalojnë tepër kohë të mirë këtu, që kur shkojnë nëpër pushime në vendet e tyre gjithmonë na lënë cards (kartolina) ku na shënojnë ‘faleminderit, faleminderit’” – ka folur ajo për notuesit e nacionaliteteve tjera.
Se si e mban një orë të mësimit të notit, Tovërlani e ka përshkruar se fillimisht interesohet se si janë notuesit dhe si kanë kaluar ditët e pastaj vazhdojnë me ushtrimet e trupit. Pas ushtrimeve, ajo thotë se bëhen gati për të hyrë në ujë dhe për të ushtruar not.
“Ju demonstroj ose shpjegoj ushtrimin në gjuhën shqipe edhe angleze dhe pastaj ata fillojnë që t’i bëjnë ushtrimet. Pastaj, ju shpjegoj të tjera gjëra ku kalojnë në main-set (setin kryesor) dhe në fund e kemi Cool-doën. Minutat e fundit të orës, fëmijët e kanë pjesën e lojës, ku ata mund të bëjnë diçka më atraktive edhe kjo është pjesa, e cila atyre u pëlqen shumë” – ka treguar ajo.
Shumë shpesh në ndonjë pjesë të orës, Torvërlani thotë se notuesit zgjedhin sipas dëshirës se cilin stil të notit ju pëlqen më shumë ta bëjnë.
“Çka na bën shumë ma të lehtë që m’i përfshi ne të gjithë është përmes lojës, d.m.th. në sport e inkorporojmë edhe lojën që përmes lojës ata të zhvillojnë konfidencë, të ndihen të pranueshëm me njëri-tjetrin” – tha Tovërlani.
Në ‘STEP Sport Center’ tregojnë se shqiptarë e të huaj të moshave 3 deri 65 vjeç mësojnë not në qendrën e tyre dhe i kanë 14 trajnerë të notit. Kurse, hapësirat e qendrës janë të dedikuara edhe për organizimin e garave të notit, e fitnesit për fëmijë.
KALLXO.com u ka ofruar mundësinë të jenë pjesë e stories edhe notuesve serb dhe ukrainas, por nuk kanë qenë të gatshëm të jenë pjesë e saj.
Në anën tjetër, sipas Federatës së Notit në Kosovë, sporti i notit në Kosovë filloi më 1951 për të vazhduar deri më 1991, kur ndalohet sipas tyre me dhunë nga pushteti i atëhershëm.
Kurse, ka rifilluar i pavarur më 1997 me garat e para të notit të organizuara nga Federata e Notit e Kosovës.
Së fundmi, më 30.01.2025, në krye të Federatës së Notit të Kosovës është zgjedhur për herë të parë një presidente grua – Rita Zeqiri.