Udhëtimet Kosovë - Itali vetëm për raste urgjente

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali ka bërë thirrje tek të gjithë shtetasit kosovarë me banim në Itali që të respektojnë masat dhe protokollet parandaluese anti COVID-19, të përcaktuara në Dekretin e fundit të Qeverisë së re italiane.

Ambasada ka bërë të ditur se masat e përcaktuara do të hynë në fuqi që nga sot dhe mbeten në fuqi deri me datë 6 prill 2021.

Dispozitat e Dekretit në fjalë parashikojnë zgjatjen e kufizimeve të qarkullimit/lëvizjes deri me 27 mars 2021 si në vijim:

-Lëvizjet brenda territorit italian: deri me datë 27 mars 2021, parashikohen kushtëzime për qarkullimin dhe lëvizjet nga një rajon në tjetrin në të gjithë territorin italian; lëvizjet lejohen vetëm për arsye pune, shëndetësore, kthim në vendbanim dhe nevoja urgjente, dhe për secilin rast, shtetasit duhet të pajisen dhe të kenë marrë me vete formularin (vetë-deklarim) ku dëshmohet arsyeja e lëvizjes;

-Udhëtimet Itali-Kosovë dhe anasjelltas: lejohen vetëm në raste urgjente të dëshmuara si: për arsye pune, shëndetësore, studimi, urgjence dhe kthimi në vendbanim. Më pas, kthimi në Itali parasheh paraqitjen e formularit të vetë-deklarimit ku secili shtetas shpjegon arsyen e kthimit dhe dokumente të tjera mbështetëse që e konfirmojnë hyrjen në Itali, si dhe detyrimin e respektimit të masave të vetë izolimit të detyrueshëm 14 ditorë dhe mbikëqyrjen shëndetësore;

-Kalimi tranzit nëpër Itali: të gjithë shtetasit kosovarë që udhëtojnë nga shtetet e BE-së mund të kalojnë tranzit përmes territorit italiane, duke plotësuar formularin e vetë deklarimit, ku shpjegohet qartë qëndrimi në 14 ditët e fundit dhe duke respektuar detyrimin që të lëshojnë territorin italian brenda 36 orëve nga momenti i hyrjes.

Ambasada ka njoftuar se të gjithë shtetasve kosovarë të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit italiane, parashikon zgjatjen e vlefshmërisë së tyre deri më datë 30 prill 2021.

“Ju informojmë gjithashtu se gjatë kësaj periudhe, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali ofron shërbime konsullore vetëm me termine/takime të rezervuara paraprakisht. Të gjithë shtetasit kosovarë që banojnë në komunat/regjionet ku është e ndaluar/kufizuar lëvizja dhe ndërkohë kanë marrë termin për ndonjë shërbim konsullor, janë të lutur me mirësi që këto termine t’i zhvendosim në një kohë më të përshtatshme, kur kushtet shëndetësore të jenë përmirësuar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Tutje Ambasada ka njoftuar se për shkak të situatës epidemiologjike në vend, dhe në respekt të kufizimeve të qarkullimit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali do të mundësojë që shërbimet konsullore të poshtë shënuara të ofrohen edhe në distancë përmes komunikimit me e-mail:

-Vërtetime për Gjendjen Martesore;

-Vërtetim mbi vërtetësinë e dokumenteve;

-Vërtetim për kthimin e pajetë të shtetasve të Kosovës në Kosovë;

“Lëshimi i këtyre vërtetimeve do të realizohet vetëm pas pranimit të dokumentacionit përkatës dhe të kompletuar, siç parashikohet nga legjislacioni përkatës për secilin veprim. Për çdo kërkesë me natyrë urgjente, lutemi kontaktoni në numrin e telefonit 06/85356571, nga e hëna deri të enjten nga ora 09 – 17, numrin emergjent +39/3381314560, email: [email protected], [email protected], dhe Facebook: @Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali”, thuhet në njoftim.