Udhëtarët nga Ballkani vuajnë nga kaosi në aeroportet e Evropës

Vonesat e mëdha në aeroportet evropiane këtë verë – për shkak të kërkesës së shtuar për fluturime dhe mungesës së stafit – kanë pasur pasoja të mëdha edhe për udhëtimet në Ballkanin Perëndimor.

Lorik Gjyrevci, 23 vjeç, po kthehej nga Çikagoja në Kosovë. Me një këmbë të lënduar, ai donte të mbërrinte në Prishtinë sa më shpejt që të ishte e mundur. Mirëpo, fluturimi i tij u vonua dhe ai u nis me dy orë vonesë, gjë e cila bëri që ai të humbte fluturimin tjetër lidhës për në Prishtinë.

Kompania e tij ajrore, Turkish Airlines, e kompensoi duke e futur atë në fluturimin e radhës direkt. “Kjo ishte rreth 12 orë më vonë”, tha Gjyrevci, duke shpjeguar se linja ajrore i rezervoi atij edhe një dhomë hoteli ku të mund të priste.

Megjithatë, fluturimi zëvendësues ishte gjithashtu vonë. “Kalova afërsisht 48 orë në aeroporte. Me një këmbë të lënduar, nuk ishte një përvojë e mirë”, tha Gjyrevci për BIRN.

Fluturimi i tij për në Prishtinë ishte një nga 622 fluturimet drejt destinacioneve të Ballkanit Perëndimor që ishte me më shumë se 45 minuta vonesë në periudhën 24 qershor deri më 3 korrik.

BIRN analizoi mbi 3,500 fluturime drejt dhe nga gjashtë aeroportet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor nga 24 qershori deri më 3 korrik të regjistruara nga FlightRadar24.

Analiza tregoi se kriza në trafikun ajror evropian këtë verë, e cila ka shkaktuar skena kaosi në aeroportet në të gjithë Evropën, ka pasur pasoja të konsiderueshme edhe për pasagjerët që udhëtojnë drejt dhe nga Ballkani Perëndimor.

Siç pritej, Beogradi, aeroporti më i ngarkuar i Ballkanit Perëndimor, ishte më i prekuri.

Sa i përket destinacioneve, shumica e fluturimeve të vonuara kanë qenë brenda zonës së Ballkanit. Kur bëhet fjalë për ardhjet, shumica dërrmuese që u vonuan vinin nga vendet e Evropës Perëndimore.

Armir Qorrolli, ekspert i aviacionit nga Kosova, thotë se pandemia COVID e thelloi krizën për aviacionin komercial sepse për një kohë të gjatë udhëtarët në mbarë botën ishin penguar të fluturonin, duke krijuar një akumulim.

“Këtë vit pamë një numër të shtuar fluturimesh, veçanërisht gjatë verës, sepse tani pandemia duket nën kontroll, njerëzit mund të udhëtojnë më lirshëm”, tha Qorrolli për BIRN.

“Pandemia gjithashtu i shtyu kompanitë e linjave ajrore dhe aeroportet të shkurtojnë stafin, gjë që ka shkaktuar kaos në Evropë dhe në botë”, shtoi ai.

Kriza evropiane përkeqëson problemet lokale

BIRN analizoi rreth 3,500 fluturime drejt dhe nga gjashtë kryeqytete të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga 24 qershori deri më 3 korrik të regjistruara nga FlightRadar24, një shërbim global i gjurmimit të fluturimeve.

Ai tha se 3,186 kishin informacion të plotë për oraret e nisjes dhe mbërritjes nga/në Beograd, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë dhe Sarajevë.

Numri më i madh i fluturimeve të vonuara mbi 45 minuta ishte për ose nga Beogradi, aeroporti më i madh dhe më i ngarkuar i rajonit.

Nga një total prej 487 fluturimesh nga Beogradi, rreth 29 për qind ishin mbi 45 minuta me vonesë. Nga 894 fluturime për në Beograd, rreth 23.1 për qind u vonuan mbi 45 minuta.

Në aeroportin e dytë më të ngarkuar të rajonit, Tiranë, Shqipëri, rreth 23 për qind e fluturimeve u ngritën me vonesë dhe rreth 19.6 për qind ishin me vonesë.

Përqindja më e lartë e fluturimeve që u nisën me vonesë ishte nga Podgorica, Mali i Zi – 33.8 për qind. Rreth 30 për qind e fluturimeve që mbërrinin në Prishtinë ishin me vonesë.

Drejtori i Aeroporteve të Malit të Zi, Goran Jandreoski, tha për BIRN se, “arsyeja kryesore për ndërprerjet e trafikut në tokën evropiane është mungesa e stafit në linjat ajrore dhe aeroporte”.

Por ai theksoi se “asnjë fluturim këtë sezon deri më tani nuk është anuluar” nga Mali i Zi.

“Por, për fat të keq, Aeroportet e Malit të Zi nuk janë në gjendje të ndikojnë në vendimet dhe operacionet e kompanive të tjera”, tha ai për BIRN.

Fluturimet për në pesë nga gjashtë kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor që u vonuan më shumë se 45 minuta ishin kryesisht nga qytetet e Evropës Perëndimore. Shumica e fluturimeve që mbërrinin me vonesë në Beograd ishin nga Amsterdami.

Linja ajrore shtetërore e Serbisë AirSerbia tha më 7 korrik se aeroporti Schiphol në Amsterdam u kishte thënë atyre që të reduktonin numrin e vendeve të ofruara në fluturimet nga Amsterdami në Beograd deri në fund të gushtit.

“Aeroporti Schiphol e justifikon këtë kërkesë me faktin se, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, kryesisht në kontrollin e sigurisë, ai nuk mund… të mundësojë shërbim në kohë me vëllimin ekzistues të trafikut”, tha Air Serbia në deklaratën e saj për shtyp.

Kompania tha se pasagjerët e tyre që planifikojnë të fluturojnë nga Amsterdami në Beograd gjatë korrikut dhe gushtit mund të ndryshojnë datën e udhëtimit pa paguar një gjobë, të udhëtojnë nga Brukseli ose Dyseldorfi ose të marrin një rimbursim.

Megjithatë, ka edhe disa probleme në vend. Rindërtimi i aeroportit Nikola Tesla të Beogradit filloi në vitin 2020, i cili përfshin rindërtimin dhe ndërtimin e pjesëve të reja të terminaleve dhe zonave të parkimit dhe pjesëve të tjera të aeroportit. Puna duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2023.

Më 25 qershor, rrjetet sociale në Serbi ishin të mbushura me foto dhe video të pjesëve të aeroportit nën ujë, pas shiut të madh më herët atë ditë. Aeroporti u kërkoi falje pasagjerëve të prekur.

Shumica e fluturimeve që mbërritën në Tiranë me mbi 45 minuta vonesë vinin nga aeroporti Luton i Londrës. Shumica e fluturimeve që mbërritën me vonesë në Sarajevë vinin nga Beogradi dhe nga Eindhoven, në Holandë.

Sipas Hopper Inc, aplikacioni i prenotimit të udhëtimeve, Eindhoven ishte aeroporti i tretë më i keq në Evropë nga 1 dhe 10 korriku për sa i përket vonesave, me një total prej 67 për qind të të gjitha fluturimeve të vonuara.

Aeroporti Luton i Londrës ishte më i keqi për sa i përket vonesave, me 66 për qind të fluturimeve të vonuara gjatë të njëjtës periudhë.

Përveç Sarajevës, Podgorica është i vetmi kryeqytet i Ballkanit Perëndimor ku vonesat mbi 45 minuta vinin nga një aeroport tjetër rajonal, Beogradi.

Sa i përket nisjeve, shumica e fluturimeve me vonesë nga Beogradi ishin për në Tivat, ndërsa fluturimet nga Sarajeva dhe Podgorica mbërrinin me vonesë në Beograd.

Fluturimet nga Tirana me mbi 45 minuta vonesë ishin kryesisht për në Milano; njësoj ishte dhe për fluturimet nga Prishtina në Bazel dhe nga Shkupi për në Stamboll.

Në të njëjtën periudhë, 15 fluturime nga Beogradi u anuluan: shumica e tyre për në Podgoricë, por edhe në Londër Heathroë, Tivat, Selanik, Pragë, Mikonos, Frankfurt, Korfuz, Bodrum, Barcelonë dhe Athinë.

Katër fluturime nga Prishtina u anuluan: tre për në Zyrih dhe një për në Paderborn të Gjermanisë.

Një fluturim nga Shkupi është anuluar për në Berlin dhe një nga Tirana për në Frankfurt.

Më shumë pasagjerë se kurrë

Nga 1 janari deri më 17 korrik 2022, më shumë se 840,000 pasagjerë udhëtuan përmes aeroporteve në Mal të Zi, që ishte 100 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021, dhe rreth 70 për qind e nivelit të trafikut gjatë së njëjtës periudhë në vitin rekord 2019, tha për BIRN Goran Jandreonski.

Aeroporti Nikola Tesla i Beogradit në gjysmën e parë të vitit 2022 ka transportuar 2.1 milionë pasagjerë, 2.3 herë më shumë se në gjysmën e parë të 2021.

Numri i ngritjeve dhe uljeve në Beograd në tremujorin e dytë të 2022 ishte 16,488 – 49 për qind më shumë në vitin 2021. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i ngritjeve dhe uljeve ishte 27,703 – 58 për qind më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2021, sipas kompanisë Aeroporti i Beogradit, e cila menaxhon Nikola Tesla dhe është pjesë e kompanisë franceze Vinci.

Aeroporti i Prishtinës regjistroi qershorin e tij më të ngarkuar, duke transportuar 261,013 pasagjerë, 24.8 për qind më shumë se në vitin paraprak para pandemisë 2019 dhe 48.2 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, 1,326,132 pasagjerë kanë kaluar nëpër dyert e tij, 25,1 për qind më shumë se në vitin 2019, ose 265,705 më shumë.

Gjatë periudhës janar-qershor, Aeroporti i Prishtinës ruajti pozicionin e tij si aeroporti i dytë më i ngarkuar në ish-Jugosllavi.

Numri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës u rrit në 559,455 në gjysmën e parë të 2022, krahasuar me 163,206 pasagjerë të shërbyer në të njëjtën periudhë një vit më parë, tha operatori i aeroportit.

Vetëm në qershor, aeroporti kryesor i Bosnjës i shërbeu 154,887 pasagjerëve, krahasuar me 71,985 në të njëjtin muaj të vitit 2021.

Nisjet dhe uljet e avionëve në aeroportin e Sarajevës arritën në 1,724 në qershor, nga 1,178 në të njëjtin muaj të vitit 2021. Në gjashtë muajt e parë të 2022, operacionet e aeroportit u rritën në 6,951 nga 3,923 në periudhën janar-qershor 2021.

Njohja e të drejtave tuaja

Shumica e aeroporteve po u bëjnë thirrje pasagjerëve që të interesohen në linjat e tyre ajrore nëse fluturimet janë në kohë përpara se të shkojnë në aeroporte. Me aeroportet kaq të mbipopulluara, pasja e një bilete nuk garanton hipjen e askujt në avion.

Goran Jandreonski, nga Aeroportet e Malit të Zi, u bën thirrje të gjithë pasagjerëve që të “interesohen vazhdimisht për statusin e fluturimeve të tyre dhe të kontaktojnë agjencitë ose linjat ajrore nga të cilat kanë blerë biletat e tyre.

“Është e rëndësishme që të gjithë udhëtarët të mësojnë në detaje të gjitha të drejtat, mundësitë dhe detyrimet e tyre, gjë që deri më tani nuk ka qenë temë e shpeshtë me interes për publikun e gjerë malazez”, tha ai për BIRN.

Drejtoria e Aviacionit Civil të Serbisë u ka kujtuar pasagjerëve se kanë të drejtën e kompensimit nëse linja ajrore refuzon hipjen, vonon ose anulon fluturimin.

Në rast anulimi të fluturimit, kompania ajrore është e detyruar t’i dorëzojë pasagjerit një njoftim për të drejtat e tij me ligj, dhe më pas t’i ofrojë opsionin e rimbursimit të vlerës së biletës, ose, nëse pasagjeri vendos të mos udhëtojë, ushqime falas dhe pije freskuese në varësi të kohëzgjatjes së pritjes, siç përcaktohet nga procedura e kompanisë.

Pasagjeri ka të drejtën e akomodimit në hotel, si dhe të transportit për një ose më shumë net, dy telefonata falas, dërgimin e mesazheve me faks ose email dhe kompensimin e dëmeve (nga 250 deri në 600 euro, në varësi të gjatësisë së fluturimit dhe vonesës).

AirSerbia, linja ajrore më e madhe në rajon, kishte numrin më të madh të fluturimeve të vonuara me më shumë se 45 minuta.

FlightRadar24 regjistroi 878 fluturime të AirSerbia nga 24 qershori deri më 3 korrik 2022; 324 prej tyre u nisën me mbi 45 minuta vonesë, ndërsa 210 mbërritën me mbi 45 minuta vonesë. Rreth 38 për qind e të gjitha fluturimeve të AirSerbia në atë periudhë ishin mbi 45 minuta me vonesë.

Në një njoftim për shtyp të datës 19 qershor, kompania kërkoi falje për vonesën në nisje ose anulimin e disa fluturimeve në datat 18 dhe 19 qershor. Ajo fajësoi gjithashtu situatën e gjerë në Evropë për krizën.

“Të gjithë sektorët e aviacionit të pasagjerëve në Evropë, tani po përballen me rritje të jashtëzakonshme sezonale të kërkesës nga njëra anë dhe burime relativisht të kufizuara nga ana tjetër, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore”, tha ajo.

“Aviacioni i pasagjerëve është një industri shumë e ndërlidhur, kështu që vonesat në çdo segment të tij domosdoshmërish çojnë në vonesa të mëtejshme të fazave dhe anulime të mundshme fluturimesh”, shtoi ajo.

Numri më i madh i fluturimeve që kanë mbërritur me vonesë në Prishtinë janë kryer nga linja ajrore lituaneze Avion Express, pastaj Bul Air dhe ËizzAir. Një e treta e fluturimeve të Avion Express ishin më shumë se 45 minuta me vonesë.

Në Sarajevë dhe Shkup, ËizzAir operoi numrin më të madh të fluturimeve që ishin me vonesë në mbërritje. Në Shkup, 70 për qind e fluturimeve të vonuara për më shumë se 45 minuta ishin nga ËizzAir.

Në Podgoricë, një e katërta e fluturimeve të vonuara ishin nga AirSerbia.

Eksperti i aviacionit Armir Qorrolli thotë se situata aktuale në rajon, “ndryshe nga pjesa tjetër e aeroporteve në Evropë dhe në botë, është më e qëndrueshme tani, edhe pse ata përballen me vonesa që vijnë nga mungesa e stafit”.

Ndryshe nga Ballkani Perëndimor, tha ai, “në aeroportet evropiane, stafi që shërben rreth avionit është nën përgjegjësinë e kompanive ajrore.”

“Në Ballkan, këta punëtorë janë staf i aeroportit dhe ky është një avantazh i madh që është vënë re që nga shpërthimi i pandemisë”, tha ai.

Ndërkohë AirSerbia ka njoftuar se është detyruar të anulojë fluturimet e saj të së shtunës dhe të dielës pasdite nga Heathroë në Londër deri në fund të tetorit.

Një javë para njoftimit, linjës ajrore iu kërkua të kryente këto fluturime edhe pa pasagjerë ose të humbiste disa nga rrugët e saj më të vlefshme.

Me kaq shumë fluturime të vonuara dhe pak shanse për përmirësim deri në fund të verës, linjat ajrore vendase, tashmë në borxhe të mëdha, do të humbasin miliona euro.

Të humbura dhe jo gjithmonë të gjetura

Për shkak të rritjes së numrit të fluturimeve të vonuara dhe mungesës së stafit në qendrat më të mëdha të aeroporteve të Evropës, ka pasur vonesa në marrjen e bagazheve dhe mijëra pasagjerë janë lënë në pritje të bagazheve të tyre për ditë ose javë.

Rrjetet sociale janë mbushur me foto dhe video të grumbujve të bagazheve të pambikëqyrura.

Kur fluturimet vonohen, pasagjerët duhet të kërkojnë kompensim për bagazhin e humbur.

Kur fluturimi i saj nga Riga për në Vjenë u vonua, Mirjana Nikoliç humbi fluturimin e saj me AirSerbia për në Beograd. AirBaltic e riprenoti fluturimin e saj një ditë më pas, por ajo u esh të paguante hotelin dhe transferimin në hotel. Sapo arriti të shkonte në Beograd, i mungonte bagazhi.

“Prita shtatë ditë për të marrë bagazhet e mia. I telefonoja çdo ditë derisa më në fund e mora”, tha ajo.

Nikoliç kërkoi kompensim për vonesën e fluturimit të saj, por nuk bëri të njëjtën gjë për bagazhin e vonuar. “Doja vetëm rrobat e mia. Isha lodhur shumë tashmë duke i ndjeur nga pas për të marrë informacione,” tha ajo.

Pas 21 ditësh, bagazhet konsiderohen “të humbura”.

Aeroportet e Malit të Zi krijuan një linjë telefonike speciale për të trajtuar pretendimet e pasagjerëve.

Nikola Tesla në Beograd u ka kërkuar pasagjerëve mirëkuptim, duke thënë se situata aktuale dhe turmat e mëdha në aeroportet kryesore evropiane nënkuptojnë se dërgimi i bagazheve të pa mbërritura në Beograd mund të zgjasë më shumë se zakonisht. Në qershor, pajisjet e aeroportit për trajtimin e bagazheve u prishën, gjë që shkaktoi më shumë vonesa në nisjet e AirSerbia./ Reporter.al