Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Udhëheqja e drejtorive nga gratë, premtimet e kandidatëve për Podujevën

Kandidatët për kryetar/e të Podujevës kanë dhënë premtimet e tyre për numrin e grave nëpër drejtori, nëse fitojnë zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidati i AAK-së, Besnik Tahiri tha se nuk mund të jap premtim për këtë çështje.

“Nuk mundem ta konfirmoj këtë sa, dhe nuk mund të zotohem  se do t’i bëjë 50-50. Lista ime është e përbërë prej 50 për qind gra dhe bartja e listës është grua. Programi im për gratë nuk ka lidhje se sa drejtoresha i bëjë unë, por ka të bëjë qysh me i ndihmu gratë me i integru dhe punësu”, tha ai.

Kurse, Floretë Zejnullahu nga PDK-ja theksoi se nuk ka diskutim përfshirja e grave në udhëheqjen e drejtorive, nëse e merr mandatin.

“Do të mundohem që mbi 40 për qind të jenë burra në qeverisjen time sepse për gra është e padiskutueshme”, u shpreh ajo në Debat Pernime.

Ndërsa, Gazmend Islami, kandidat i Organizatës Balli Kombëtar Demokrat për kryetar të Komunës së Podujevës, tha se mundohet t’u jap prioritet grave.

Shpejtim Bulliqi nga LVV-ja tha se do të synojë të emërojë në drejtori 50 për qind me gra.

“Unë kam dhënë një shembull të mirë, për herë të parë Podujeva ka startuar me katër 4 drejtoresha, do të vazhdojmë me 4 por synojë që të shkojmë kah 50 përqindëshi, tha ai.

Se do t’i emërojmë 7 drejtoresha gra nga 11 drejtori, premtoi kandidati i Nismës, Xhemajl Hasani.

“Unë jam i njohur që edhe në jetën e përditshme e respektoj gjininë femërore”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Podujevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Podujevës, Besnik Tahiri nga AAK, Floretë Zejnullahu nga PDK, Gazmend Islami nga OBKD, Shpejtim Bulliqi nga LVV, Xhemajl Hasani nga Nisma. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Podujevës: Adelina Stublla nga LVV, Albana Talla nga AAK, Antoneta Ejupi nga PDK, Arjeta Fetahu nga OBKD, Flakë Ajeti nga PDK, Lirika Maliqi nga LVV, Lirika Humolli nga AAK. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.