Udhëheqësit e BE-së pritet të miratojnë planin për furnizim të Ukrainës me municion lufte

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet ta japin miratimin e tyre të enjten për një plan përmes të cilit do të mund t’i përshpejtonin dërgesat e municioneve për forcat ukrainase që po e luftojnë pushtimin rus.

Plani prej 2 miliardë dollarësh u miratua në fillim të kësaj jave nga ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së. Ky plan bën thirrje si për dërgimin e municioneve nga rezervat ekzistuese ashtu edhe për vendet e BE-së që të punojnë së bashku për të vendosur porosi të reja për më shumë raunde.

Udhëheqësit ukrainas u kanë thënë aleatëve perëndimorë se ushtria e Ukrainës ka nevojë urgjente për më shumë municion, veçanërisht predha 155 milimetërshe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të bashkohet me liderët e BE-së për një takim dreke të enjten, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të planifikuar të japë një video-fjalim më vonë.

Seanca e së enjtes vjen një ditë pasi autoritetet ukrainase thanë se sulmet e reja me dron dhe raketa ruse vranë të paktën shtatë persona në dy qytete.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, përdori një postim të enjten në Twëitter për ta vënë theksin tek shprehja e mbështetjes së presidentit rus Vladimir Putin për një plan paqeje të hartuar nga Kina në Ukrainë, duke vendosur pritjen e Putinit për presidentin kinez Xi Jinping këtë javë krahas sulmeve ruse.

“Ukraina është sulmuar sërish nga Rusia me dronë iranianë, duke i targetuar objektet arsimore dhe një sulm me raketa në një ndërtesë banimi në Zaporizhzhia”, thotë Borrell. “Pikërisht kur Putini i shprehu Presidentit Xi nevojën për ‘zgjidhje paqësore’, Rusia përsëri kreu krime lufte.”

Putin të martën e vlerësoi planin e paqes të liderit kinez Xi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, megjithëse ai nuk ka bërë thirrje për tërheqjen e trupave ruse siç ka kërkuar Zelenskyy përpara se të fillojnë bisedimet e paqes.

Shtetet e Bashkuara, furnizuesi kryesor i armëve i Ukrainës, e ka hedhur poshtë planin e paqes të Kinës, sepse një plan i tillë do t’i linte në fuqi fitimet territoriale ruse në Ukrainën lindore.

“Një armëpushim tani, duke i ngrirë linjat aty ku janë, në thelb i jep [Putinit] kohën dhe hapësirën që i nevojitet për t’u përpjekur që të ripajiset, për të rindërtuar, për të kompensuar shpenzimet e burimeve,” ka deklaruar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri, John Kirby./VoA

Përgatiti: Nuhi Shala