Udhëheqësit botërorë dënojnë sulmin rus në centralin bërthamor në Ukrainë

Udhëheqësit botërorë po akuzojnë Rusinë se po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë pasi forcat e saj sulmuan një termocentral bërthamor dhe ndezën zjarr.

Një zjarr shpërtheu në centralin bërthamor të Zaporizhzhia – më i madhi në Evropë – pasi u sulmua nga Rusia, raporton BBC. 

Shërbimet e Urgjencës të Ukrainës arritën të shuanin zjarrin, i cili shpërtheu në një ndërtesë jashtë perimetrit të uzinës, por autoritetet thonë se trupat ruse kanë kapur centralin.

Presidenti i SHBA Joe Biden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zonës, ndërsa kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia “duhet të pushojnë menjëherë”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson tha se sulmi “i pamatur” i Rusisë mund të “kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës”.