Udhëheqësi i trajnimeve në Burgun e Dubravës rezulton pozitiv me coronavirus

Udhëheqësi i Trajnimeve në Burgun e Dubravës ka rezultuar pozitiv me coronavirus javën e kaluar.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se  I. F. është liruar nga detyra për tu vendosur në vetkarantinë.

“Në funksion të lokalizimit të infeksionit dhe parandalimit të përhapjes së Covid 19 në Qendrën Korrektuese Dubravë menjëherë ka filluar gjurmimi i kontakteve të të gjithë zyrtarëve korrektues në këtë qendër”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Gjithashtu sipas SHKK-së, katër zyrtarë të tjerë të cilët kanë qenë në kontakt me I.F. janë testuar dhe kanë rezultuar negativ.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe për testimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës në lidhje me këtë rast.

I.F. ka qenë Udhëheqës i Trajnimeve të stafit të Burgut të Dubravës si dhe të burgosurve.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me rastet e konfirmuara me coronavirus nëpër burgje më saktësisht në atë të Mitrovicës i cili gjendet në veri.

Gjithashtu në një emision të “Drejtësia në Kosovë” u transmetua edhe trajtimi i pandemisë COVID-19 në burgjet e Kosovës.