Uber u jep shujta falas punonjësve të kujdesit shëndetësor

Kompania Uber po u jep falas ushqime punonjësve shëndetësorë dhe punonjësve që po ndihmojnë në luftimin e pandemisë së coronavirusit.

Kështu ka thënë për CNBC, Nelson Chai, shef financiar i kompanisë Uber të hënën.

“Ne do të dërgojmë mbi 300,000 ushqime për zyrtarët shëndetësorë dhe për ndihmën e parë. Ne jemi duke bërë atë që mundemi”, tha Chai.

Ka të paktën 3 mijë e 774 raste të konfirmuara të coronavirusit në ShBA dhe të paktën 69 njerëz kanë vdekur që nga e diela, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Në nivel global deri më tani janë shënuar mbi 174 mijë raste me coronavirus. Kurse janë shënuar 6 mijë e 684 vdekje, kurse janë shëruar 77 mijë e 865 raste.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur coronavirusin pandemi pas rritjes së numrit të të prekurve sidomos në Europë.

Deri në këto momente në Kosovë janë konfirmuar 13 persona të prekur nga coronavirusi. Kurse, mbrëmë Qeveria e Kosovës shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik.