Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

U vazhdohet suspendimi policëve të arrestuar për lojëra fati e kontrabandë në Karaçevë

12 zyrtarëve policorë të cilët u arrestuan në aksionin e së premtes në fshatin Karaçevë u është vazhduar suspendimi pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com vet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Sapo mora vendim për vazhdim të suspendimit të zyrtarëve policor”, tha Qalaj për KALLXO.com.

Qalaj të premten kishte marrë vendim për suspendimin e zyrtarëve policorë, ndërsa sot ka vendosur që të vazhdojë suspendimin e të njëjtëve pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

KALLXO.com gjatë ditës kishte raportuar se rekomandimet e IPK-së ishin shkruar e nënshkruar e më pas dërguar në Policinë e Kosovës në lidhje me suspendimin e 12 zyrtarëve policorë të arrestuar për organizim të lojërave të fatit si dhe për kontrabandë në fshatin Karaçevë, pak kilometra larg vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Njëri nga 12 zyrtarët policorë F. L. të arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Karaçevë po dyshohet për dy vepra penale, kontrabandim me mallra si dhe për organizim te skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm madje dosja zbulon se i njëjti organizonte lojëra të fatit në kazinon e cila ishte në emër të tij ndërsa zyrtarët e tjerë policorë po dyshohen për veprën penale kontrabandim.

Madje në dosjen e prokurorisë thuhet se njëra kazino në Karaçevë ishte në emër të zyrtarit policor.

Kështu thuhet në dosjen e prokurores së rastit Rozelida Manastiri, e cila së bashku me shefin e Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion brenda IPK-së, Bardhyl Haxhimustafa si dhe Zejnullah Surdullin nga Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar udhëhoqën planin operativ për mbylljen dhe rrënimin e kazinove që funksionin në mënyrë ilegale në Karaçevë.

Zyrtarët policorë, H.K., S.K., I.M., F.K., A.K., F. Z., R.Th., S.G., S. N., S.M. dhe Z.A. sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë po dyshohen për ndihmë në kontrabandë.

Të njëjtit zyrtarë policorë po dyshohen se në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar e fshehur si dhe nuk kanë penguar kontrabandimin nga ana e të pandehurve të tjerë (qytetarë të arrestuar të premten) të cilët duke kaluar vijën kufitare, kanë shmangur kontrollin doganor përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandim të mallrave të ndryshme.

IPK kërkon suspendimin e 12 policëve të arrestuar në Karaçevë