U vazhdohet suspendimi eprorëve të Policisë së Kosovës të stacionit në Zubin Potok

Pasi gjatë një inspektimi në Drejtorinë Rajonale në Veri të Mitrovicës, më saktësisht në stacionin policor në Zubin Potok, u gjetën parregullsi dhe mungesë të disa dëshmive të disa rasteve, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte rekomanduar suspendimin e personit përgjegjës të dhomës së dëshmive, komandantit të stacionit dhe shefit të hetimeve.

Gjatë ditës së sotme, në një përgjigje për KALLXO.com, IPK ka treguar se është rekomanduar vazhdimi i suspendimit deri në përfundimin e procedurës hetimore për personat e lartpërmendur.

Dje KALLXO.com raportoi nga burimet e saj se nga dhoma e dëshmive në stacionin policor në Zubin Potok ishin zhdukur më shumë se dhjetë armë-pushkë, të cilat lidhen me trazirat e marsit të vitit 2008.

Nga këto trazira në veri të Mitrovicës, ku qytetarët serbë kundërshtonin pavarësinë e Kosovës, kishte mbetur i vdekur një polic ndërkombëtar dhe dhjetëra të tjerë ishin lënduar e plagosur.

IPK ka konfirmuar për KALLXO.com se nga dhoma e dëshmive ishin zhdukur armë por duke mos dhënë detaje për numrin e tyre.

“Në këtë fazë të hetimit IPK nuk mund të konfirmojmë nëse armët që dyshohet se mungojnë nga dhoma e dëshmive ndërlidhen me ndonjë incident kriminal”, thuhet në përgjigjet e IPK-së për KALLXO.com.