U shpërndanë 1,900 pako me produkte vendore, u ndihmuan familjet në nevojë dhe fëmijët e SOS Fshatrave

Klubi i Prodhuesve të Kosovës njofton se ka përfunduar fushata “Besa për Kosovën”, duke shpërndarë 100 pakot e fundit me prodhime vendore për SOS Fshatrat e Fëmijëve.

“Besa për Kosovën: Diaspora në ndihmë të atdheut”, fushata e organizuar nga rrjeti i parë i bizneseve shqiptare Fondacioni “BESA” nga Bavaria, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, organizata GERMIN, së bashku me Fondacionin Global Shqiptar, përfundoi edhe aksionin e fundit të dërgimit të 100 pakove në SOS Fshatrat e Fëmijëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, “Besa për Kosovën: Diaspora në ndihmë të atdheut gjatë COVID-19”, është fushatë humanitare e cila filloi gjatë muajit prill dhe kishte për qëllim që t’u dalë në ndihmë komunave të ndryshme të Kosovës të cilat ishin në gjendje të rëndë gjatë kësaj kohe, duke iu shpërndarë pako me produkte ushqimore dhe produkte bazë të higjienës, produkte këto të prodhuara në Kosovë.

Fushata kishte për qëllim fuqizimin e prodhimit në Kosovë dhe t’u ofrojë ndihmë familjeve në nevojë.

Komunikata tregon se 1 mijë e 900 pako u shpërndanë në 7 komuna të Kosovës.

“Nga kjo fushatë u ndihmuan 7 komuna me 1900 pako, ku 1900 familje apo diku rreth 7200 qytetarë të cilët ishin në gjendje të rëndë financiare për shkak të pandemisë COVID-19, por edhe 220 punëtorëve në sektorin e prodhimit ju mundësua paga mujore. Komunat të cilat u ndihmuan gjatë kësaj fushate janë Vitia, Kamenica, Vushtrria, Podujeva, Gjakova, Skenderaj dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka falenderuar prodhuesit vendorë për për mbështetjen dhe ndihmën për familjet në nevojë.