KRU Hidrodrini, Foto: Facebook

U shkarkua nga posti i kryeshefit të "Hidrodrinit", Dri Cena: Bordi më shkarkoi për interesa personale, arsyetimi i tyre nuk qëndron

Bordi i drejtorëve të KRU “Hidrodrini” ka shkarkuar më 31.07.2024 Dri Cenën nga pozita e kryeshefit ekzekutiv.

KALLXO.com ka kontaktuar me Cenën i cili tha se arsyetimet e shkarkimit nuk qëndrojnë.

“Nuk janë të vërteta, janë të pabaza krejt ato sa i përket të kundërligjshmeve por për shkak të interesave personale dhe sendeve të tjera që nuk iu kanë ecë edhe e kanë marrë atë vendim, e kanë pasë atë mundësi” – deklaroi Cena i pyetur rreth arsyeve të shkarkimit të tij të dhë nga bordi i drejtorëve.

Cena kur u pyet se cilat janë interesat personale të bordit nuk pranoi të komentojë, me arsyetimin se “është pak herët me folë për to por flasim nesër ose pasnesër”.

Ai kundërshtoi deklaratën e bordit se i dha vetës dhe zyrtarit kryesor financiar kundërligjshëm pagesë për punë jashtë orarit.

“Jo more, nuk qëndron ajo, s’ka lidhje, është e pabazë krejt” – shtoi Cena.

Tanimë ish-kryeshefi i “Hidrodrini”-t tha se do të dalë me komunikatë dhe se gjithçka do të sqarohet.

“Dal unë nesër me një komunikatë të përgjithshme dhe sqarohen krejt” – përfundoi Cena.

Bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka deklaruar se për shkarkimin e Cenës arsye ishin performanca e tij e dobët si dhe disa veprime të kundërligjshme që sipas tyre ka ndërmarrë Cena sa ishte kryeshef ekzekutiv.

Bordi i KRU ‘Hidrodrini”-t e shkarkon kryeshefin ekzekutiv, Dri Cenën