U shfuqizohen certifikatat e regjistrimit edhe 15 bizneseve

Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ua ka shfuqizuar certifikatat e regjistrimit edhe 15 bizneseve, për shkak të përmbajtjeve antikushtetuese.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se përmbajtjet kanë qenë si në vijim: “Pec, Republika Srbija“; “Pec, SRB“; “Gnjilane, Srbija”; “Pristina, Srbija”; “Djakovica, Republika Srbija”; “Kosovska Mitrovica, Republika Srbija” etj.

Këto shfuqizime, MINT thotë se janë bërë pas pranimit të raportit të komisionit për riverifikim të dosjeve në ARBK dhe shqyrtimit të mëtejmë të listës së 48 bizneseve me përmbajtje antikushtetuese.

“Shoqëritë tregtare gjatë regjistrimit të tyre kanë dorëzuar dokumente me përmbajtje në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës” – thuhet në njoftim.

Ministria ka publikuar edhe emrat e këtyre bizneseve:

BOMEK SH.P.K.

LENSIA SH.P.K. ( me emërtim te vjetër EPOXY SB- BODEN L.L.C.)

MAP SH.P.K.

MTS D.O.O.

NDERTIMI FI 6285 92 SH.A.

THE BUSINESS CLUB L.L.C.

LIRIAN CARS L.L.C.

BUS SOFTËARE SH.P.K.

GLOBOSOS SH.P.K.

AGENCY S&E SH.P.K.

DEVOLLI GROUP SH.P.K.

VITALAND L.L.C.

BEYOND SH.P.K.

ELBA PARTNERS L.L.C.

PITE KATUNI SH.P.K.

Shfuqizimi i certifikatave të shoqërive tregtare, me shkelje të njëjta apo të ngjashme, sipas Ministrisë do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Në ndërkohë, Ministria njofton se në dy ditët e fundit, 7 dhe 8 gusht, në ARBK janë regjistruar edhe 86 shoqëri tregtare të reja, prej të cilave janë 33 biznese individuale (B.I) dhe 53 biznese shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SH.P.K).

MINT kishte thënë më 1 gusht se ka iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe personave përgjegjës të kompanive lidhur me regjistrimet e bizneseve në mënyrë jokushtetuese.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte marrë vendim për ta pezulluar certifikatën së biznesit të televizionit “Klan Kosova” dhe pastaj kishte refuzuar ankesën e “Klan Kosovës” ndaj këtij vendimi.

“Klan Kosova” më pas ka ka dëguar lëndën në Gjykatën Komerciale, e cila ka aprovuar kërkesën e televizionit për masën e sigurisë.

Sipas vendimit të Gjykatës, shtyrja e ekzekutimit të vendimit të MINT ndaj “Klan Kosovës” ka plotësuar kushtet ligjore.