U rrahën në oborrin e shkollës, katër nxënës në Gjilan përfundojnë në Polici

Katër nxënës kanë përfunduar në Polici të martën më 7 qershor, pasi janë rrahur në mes vete në oborrin e Shkollës së mesme të Mjekësisë, në Gjilan.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë identifikuar edhe tre nxënës të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në rrahje, ndërsa po ashtu të njëjtit janë në kërkim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, për KALLXO.com ka dhënë detaje në lidhje me rastin.

“Në oborrin e shkollave të mesme është raportuar se ka ndodhur një rrahje mes disa personave, nxënës të Shkollës së mesme të Mjekësisë. Policia i ka identifikuar dhe intervistuar katër të dyshimtë, edhe tre të tjerë të njohur për policinë, janë në kërkim”, ka thënë Hashani.

Ai ka bërë të ditur se rasti po vazhdon të hetohet në koordinim me prokurorin e shtetit.