U rekomandua suspendimi i 6 policëve në Ferizaj, detaje nga rasti

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ka rekomanduar suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë për shkak se dyshohet se të njëjtit kanë tejkaluar autorizimet ligjore ndaj një qytetari në Ferizaj.

Siç mëson KALLXO.com, një person është paraqitur në zyrat e Inspektoratit Policor të Kosovës me shenja dhune, të cilat dyshohet se ishin shkaktuar nga përdorimi i forcës së disa zyrtarëve policorë në rajonin e Ferizajt.

KALLXO.com mëson se i njëjti fillimisht kishte qenë jashtë në një lokal duke pirë dhe më pas është kthyer në shtëpi. E dashura e tij pretendohet se ka lajmëruar Policinë nën frikën se mos ankuesi do të kryjë ndonjë veprim pasi ishte në gjendje të dehur.

Tutje siç mëson KALLXO.com, Policia ka shkuar në shtëpinë e ankueses dhe kanë marrë të riun dhe e kanë dërguar në stacion policor.

Deri më tani siç mëson KALLXO ndaj të dyshuarit ani pse ishte shoqëruar në stacion policor nuk ishte hapur asnjë rast ndonëse policët gjatë intervistimit të tyre nga inspektorët policorë kishin thënë se i riu i kishte kanosur.

I riu ka raportuar në IPK se është rrahur nga disa zyrtarë policorë të dy ndërrimeve gjatë periudhës sa ka qëndruar në stacion policor për diku pesë orë.

Rasti është duke u hetuar edhe më tutje.