Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

U raportua se shkoi dje në Kuvend e infektuar me COVID-19, deputetja e LVV-së publikon rezultatet e testit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka reaguar pas raportimit në disa media se ajo ishte paraqitur dje në seancë e infektuar me COVID-19.

Duke e demantuar këtë Matoshi në rrjetin social “Facebook” ka bërë publike rezultatin e testit negativ për COVID-19, të kryer më 2 prill.

Deputetja i ka quajtur të turpshme dhe paprecedenta përpjekjet për të dëmtuar procesin e formimit të institucioneve të Kosovës.

“Është e turpshme dhe e paprecedant lufta dhe përpjekjet e disa qarqeve për të dëmtuar procesin e formimit të institucioneve të Kosovës, qoftë edhe me spekulimet mbi gjendjen shëndetsore timen. Nuk është hera e parë që më sulmojnë, por gjithashtu nuk do të jetë hera e parë që mundohen të më nënshtrojnë”, ka shkruar deputetja.

Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.

Për shkak të dështimit në mungesë të kuorimit seanca do të vazhdojë sot nga ora 17:00.