Kryeministri Albin Kurti në takim me kryetarët e komunave të Kosovës | Foto: ZKM

U pyet për Asociacionin e komunave serbe, Kurti thotë se 'Po më del boll Asociacioni i Komunave të Kosovës’

Kryeministri Albin Kurti ka mohuar se ekziston ndonjë propozim ose plan për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti deklaroi se nuk është prioritet i askujt, madje as i serbëve lokal, që të formohet asociacioni i komunave serbe.

“Kosova e ka asociacionin e komunave, dhe mua si kryeministër mjaft po’m del ky asociacion ekzistues”, tha fillimisht Kurti.

Tutje, është përgjigjur në lidhje me komentet e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon dhënë në KTV, se Qeveria e Kosovës ka një propozim për Asociacionin e Komunave të Kosovës.

“Unë nuk jam në dijeni si kryeministër për ndonjë far plani për asociacionin e komunave më shumicë serbe. Kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk besoj që mund t’i shtoj diçka të re. Kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacione mbi baza etnike, mund të ketë asociacione mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike”, tha Kurti.

“Po i pyete të gjithë qytetarët pa dallim, askush nuk e ka prioritet një asociacion të tillë, madje as serbët, të gjithë duan vende pune, drejtësi, shkollim, duan shëndetësi e luftim të korrupsionit. E për këtë Qeveria jonë, është qeveri e të gjithëve”, ka thënë Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Në Kosovë ekzistone Asociacioni i Komunave të Kosovës, por që për arsye politike, në këtë asociacion nuk marrin pjesë edhe komunat me shumicë serbe.