U kapën me 9 kg kokainë, prokuroria kërkon paraburgimin e dy shtetasve të Shqipërisë

 

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim për dy të pandehurit të cilët dyshohet se kanë tentuar të fusnin në Kosovë afër 9 kilogram substancë narkotike të dyshuar për kokainë.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.T (1999) dhe E.T (2000) që të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Këta dy persona gjatë mbrëmjes së djeshme janë ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë ku është vërejtur  se ka ndërhyrje në automjetin që ata po vozisnin.

“Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur nëntë (9) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë, me sasi prej 8 kg e 800.74 gram”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Po ashtu, njoftohet se në vend ngjarje janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht:

–          Një (1) automjet Peugeot 207 ngjyrë hiri dhe një (1) çelës i veturës;

–          Nëntë (9) paketime, brenda me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit Kokainë me peshë gjithsej 8 kg e 800.74 gr;

–          Një (1) telefon Samsung;

–          Një (1) telefon Iphone 6S;

–          Para të gatshme 1475 euro dhe 200 Lekë

Dy të dyshuarit me vendim të prokurorit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.