Foto: Artan Grubi
U fut në Listën e Zezë të SHBA-së, reagon Grubi: Jam i prekur, do të angazhohem me partnerët për ta zbardhur çështjen
Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka reaguar pasi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) më 09.12.2024 ka njoftuar se e ka futur në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara.
Grupi ka thënë se ky vendim e ka prekur drejtpërdrejt dhe personalisht.
Ndërsa ka thënë se do të angazhohet maksimalisht me miqtë dhe partnerët “për të zbardhur plotësisht këtë çështje”.
“Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”- ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) më 09.12.2024 ka njoftuar se i ka futur në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin, dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti – për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”.
Në një njoftim për media, DASH tha se Grubi e Bexheti “janë përfshirë në korrupsion të madh – duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore, të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të Shërbimit Sekret.”
Mijalkovi është, gjithashtu, në Listën e Zezë të SHBA-së – që nga viti 2022.
SHBA-ja i fut në Listën e Zezë Artan Grubin e Enver Bexhetin