Besnik Berisha, avokat

U fol se u propozua për ministër të Brendshëm, flet avokati Besnik Berisha

Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e marrëveshjes së koalicionit, ndonëse pas 6 tetorit u panë të lehta, ditë pas ditë po vështirësohen.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti janë takuar disa herë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, por pa arritur të pajtohen për bashkëqeverisje.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Mustafës nuk prodhoi marrëveshje.

Zyrtarisht ata nuk treguan arsyet se pse, përveçse thanë se do t’i vazhdojnë bisedimet.

Tema e nxehtë e këtyre bisedimeve tashmë gati 2- mujore është pozita e presidentit të Republikës.

Mirëpo, në takimin e fundit duket se ka dalë edhe një problem tjetër, ajo e ndarjes së dikastereve qeveritare.

Takimi Kurti – Mustafa nuk prodhon koalicion

KALLXO.com ka marrë vesh se Isa Mustafa i ka kërkuar Kurtit që Ministrinë e Punëve të Brendshme ta udhëheqë LDK-ja.

Për udhëheqjen e Ministrisë që mbikëqyr Policinë e Kosovës, Vetëvendosje ishte deklaruar edhe para zgjedhjeve, duke thënë se këtë Ministri do e drejtojnë ata, pavarësisht partnerëve të koalicionit.

Po ashtu, KALLXO.com merr vesh se brenda LDK-së është diskutuar që Ministrinë e Punëve të Brendshme ta drejtojë avokati Besnik Berisha, i cili ishte këshilltar i Isa Mustafës gjatë kohës sa ky ishte kryeministër.

I kontaktuar nga KALLXO, Besnik Berisha nuk ka dashur t’i komentojë këto informata.

“Për avokati jam i gatshëm të flas me ty, ndërkaq për përfolje, po besoj që ne pajtohemi se nuk është e imja t’i komentoj”, ka thënë shkurtimisht Berisha për KALLXO.com.

Megjithatë avokati Berisha as nuk i ka pohuar e as mohuar zërat se ai mund të jetë propozimi i LDK-së për ministër të Punëve të Brendshme.

Besnik Berisha si avokat është mbrojtës i njërit prej të akuzuarve të rastit “Pronto”, Besim Beqajt, i cili ishte ministër i Inovacionit në mandatin aktual, derisa dha dorëheqje pas kërkesës së Kadri Veselit.

Rasti ‘Pronto’, Besim Beqaj: I tërë ky proces është mbi bazën e thashethemeve dhe demagogjisë

Beqaj akuzohet se së bashku me Adem Grabovcin kanë tentuar të krijojnë privilegje apo përparësi në bazë të përkatësisë politike për  pozitën e drejtorëve në bordet e ndërmarrjeve publike Trainkos dhe Infrakos.

Gjatë kohës sa akuzohet, Beqaj ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Berisha është avokat mbrojtës edhe i një ish-zyrtari tjetër të lartë të PDK-së. Ai mbron Azem Sylën, i cili është i akuzuar në rastin që njihet si “Toka”.

Në anën tjetër, ende nuk është bërë e ditur se kur do të jetë takimi i radhës mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtit.