Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

U dënua 4 herë për posedim të narkotikëve, Gjykata e Gjakovës e dënon përsëri me kusht

Dënim me kusht dhe gjobë është shqiptuar sërish ndaj të akuzuarit N.K., edhe përkundër faktit se i njëjti ishte dënuar edhe 4 herë mw parw me vendime të plotfuqishme gjyqësore për posedim të lëndëve narkotike.

Vendimi i fundit kundër tij u shqiptua nga Gjykata Themelore në Gjakovë, nga gjyqtari Drilon Haraçia, i cili e gjeti fajtor dhe e dënoi me 400 euro gjobë e dënim me kusht në kohëzgjatje deri në 1 vit.

N.K., qytetar nga Peja, ngarkohej nga Prokuroria, se në janar të 2021, në Gjakovë, i ishte gjetur në posedim një qese najloni e mbushur me substancë në formë pluhuri e dyshuar për heroinë, në sasi të përgjithshme 4.63 gram .

Në Gjykatë, i akuzuari i kishte pranuar këto akuza dhe ishte shprehur se ishte penduar dhe ishte i vetëdijshëm se ka gabuar.

Meqë ishin vërtetuar pretendimet e prokurorisë të përfaqësuara nga prokurorja Dëshire Jusaj, Gjykata për të pestën herë i shqipton dënim me kusht të akuzuarit.

N.K. ishte dënuar në vitin 2019 me 400 euro gjobë për posedim të substancave narkotike. Tre muaj më vonë ishte dënuar prapë mirëpo kësaj radhe më dënim me kusht. Pak muaj më vonë ai u dënua edhe një herë mirëpo çuditërisht edhe pse kishte një dënim aktiv me kusht ndaj të njëjtit u shqiptua prapë dënimi me kusht.

Se këto tre dënime nuk kanë pasur efekt për të dhe se nuk e kanë arritur qëllimin e tyre e tregon edhe fakti se saktësisht një javë më parë N.K. u dënua edhe një herë, kësaj radhe me dënim me burgim efektiv.

Lidhur me rastin e këtij të akuzuari, KALLXO.com ka publikuar një analizë, përmes së cilës kishte treguar për mungesën e krijimit të institucionit adekuat të trajtimit të personave të varur nga droga.

https://kallxo.com/ligji/gjykatat-nuk-zbatojne-plotesisht-kodin-penal-per-te-varurit-nga-droga-denimet-me-burg-dhe-kusht-joefektive/

Më datë 22 maj 2019, Gjykata e kishte shpallur fajtor të pandehurin N.K. dhe e kishte gjykuar më 400 euro gjobë për veprën penale të posedimit të substancave narkotike.

Rreth tre muaj më votë, përkatësisht më datë 1 gusht 2019, Gjykata e kishte shpallë fajtor të pandehurin N.K. dhe e kishte gjykuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 800 euro gjobë për dy vepra penale të posedimit të substancave narkotike.

Sipas këtij vendimi, dënimi nuk do të ekzekutohej në rast se i dënuari nuk do të kryente ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës 2 vjeçare.

Gjatë periudhës së verifikimit ndonëse i dënuar me burgim me kusht për dy vepra penale, N.K. haset prapë me substanca narkotike. Sipas aktakuzës me datë 29 nëntor 2019 apo 3 muaj pasi ishte dënuar me burgim me kusht ai haset me 9 qese substanca të llojit heroinë. Për këtë vepër më datë 5 mars 2020 Krasniqi ishte dënuar përsëri me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Ky dënim me kusht u shqiptua ndonëse N.K. 1 vit më parë ishte dënuar në të njëjtën mënyrë, pra me burgim të kushtëzuar dhe në këtë rast nuk ishte revokuar fare dënimi i parë me kusht.

Ndonëse me tre dënime që kishin për qëllim ri edukimin e tij, N. K. ndalohet prapë nga policia e Kosovës, kësaj radhe nga Policia Rajonale në Gjakovë i cili haset përsëri me substancë narkotike të llojit heroinë.