Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”

U.d. kryeshefi i “Trepçës”: U sulmova nga Rafet Ibishi dhe punëtorët e tjerë në prani të Policisë

Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”, ka thënë se të hënën paradite është sulmuar fizikisht e në prezencë të Policisë.

Në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ai ka akuzuar për sulmin ish-ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Rafet Ibishi.

Gjatë së hënës, Ibishi së bashku me katër persona të tjerë u arrestua nga forcat e rendit.

“Ish-kryeshefi në shoqëri me disa persona, lirisht mund të themi 100 kanë ardhur, kanë hy me forcë në zyrën time dhe më kanë sulmuar fizikisht në prani të policëve. Fillimisht më ka sulmuar ish-kryeshefi (Rafet Ibishi) dhe kanë vazhduar sulmet fizike nga punëtorët, minatorët dhe sigurimi”, ka thënë Abdurrahmani.

Ai ka treguar edhe si është sulmuar në zyrën e tij të punës.

“Sulmi fillimisht ka qenë verbal e më pastaj edhe fizik, një sulm do të thotë me fasikëll që e ka pas në dorë më ka sulmuar fizikisht. Unë kam tentuar që ta qetësoj por menjëherë pas tij kanë nis sulmet fizike të punëtorëve që ishin me të prezent në zyre, ishin diku 30 persona”, tha ai.

“Konflikti është i sotëm, sepse ne deri më sot s’kemi pasur konflikt, jemi njoftë edhe më parë. Unë kam qenë zyrtar i kontrollit, kemi pasur raporte të mira. Pasi i skadoi mandati atij dhe unë mora detyrën e re nga bordi, erdhi deri te ky moment sot”, deklaroi ai.