U. d. kryeshefi i Trepçës punësoi axhën në ndërmarrje, por pa pagesë

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Enes Muzaqi e ka angazhuar axhën e tij me kontratë mbi vepër në këtë ndërmarrje publike.

Por, në kontratën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Ramadan Muzaqi, axha i Enes Muzaqit, është angazhuar për një muaj të punoj pa pagesë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë u. d. kryeshefi, Enes Muzaqi.

“Po, Ramdan Muzaqi është axha im. E kam angazhuar me kontratë mbi vepër. Nuk e kam angazhua për me fshehë ose me i ndihmu, Ramadan Muzaqi është një inxhinier i teknologjisë dhe ndër ekspertët e vetëm që ka mbetur në gjendje për me i ndihmu Trepçës, nuk është hera e parë që është angazhuar sepse edhe kryeshefat e tjerë e kanë angazhuar”, ka thënë ai.

“Arsyeja e angazhimit ka qenë rregullimi i procesit të teknologjisë në flotacion, Ramadan Muzaqi është angazhuar të ofrojë konsulencë profesionale pa pagesë”, ka deklaruar Enes Muzaqi.