Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

U.d. kryeshefi i Trepçës: Kam hequr dorë nga një pagesë prej 300 eurove

Përkundër pagës bazë për pozitën kryesore menaxheriale në ndërmarrjen publike Trepça, kryeshfi ekzekutiv ka të drejtë edhe në një shtesë prej 300 eurove në muaj.

Por, këtë ka refuzuar ta marrë ushtruesi i detyrës së kryeshefit në këtë ndërmarrje, Enes Muzaqi. Ai ka thënë se gjendja e rëndë financiare në Trepçë e ka shtyrë që ta marrë këtë vendim.

“Vendimin e parë që e kam marrë vetë ka qenë që të heq dorë nga një pagesë prej 300 eurove që i takonte kryeshefit si pjesë e skuadrave të shpëtimit të minierave, kam ndërpre edhe të gjitha mbushjet telefonike për zyrtarët e lartë. Kryeshefi është pjesë e skuadrave të shpëtimit, edhe në Artanë edhe në Stan Tërg, është eprori i dy skuadrave të shpëtimit, për atë paguhet 300 euro shtesë”, ka thënë ai në emisionin “Kallxo Pernime”.

“Vlera e përgjithshme ka qenë diku rreth 345 euro, me gjithë zyrtarët e lartë”, deklaroi Enes Muzaqi.

Ai ka thënë se deri më tani prodhimi në ndërmarrje është rritur por pandemia ka ndikuar në tregun e mineraleve.

Sipas tij, deri më tani janë shpenzuar vetëm 400 mijë euro nga granti ndihmë që bën Qeveria e vendit ndaj kësaj ndërmarrjeje.

“Trendi i prodhimit është pozitiv në muajt e fundit, diku 20 për qind më shumë, nëse vazhdojmë kështu besoj se do të arrijmë t’i paguajmë pagat për punëtorët, por problemi kryesor në ndërmarrje janë borxhet e grumbulluara ndër vite. Deri më tani, sa unë jam në u.d. kryeshef, janë shpenzuar vetëm 400 mijë euro për pagat e punëtorëve”, deklaroi u.d. kryeshefi i Trepçës, Enes Muzaqi.