U.D. Kryeprokurori i Shtetit Besim Kelmendi gjatë fjalës së tij në Konferencën e Këshillit Gjyqësor “Ditët e Gjyqësorit”. Foto | Prokuroria e Shtetit

U.D. Kryeprokurori i Shtetit Besim Kelmendi gjatë fjalës së tij në Konferencën e Këshillit Gjyqësor “Ditët e Gjyqësorit”. Foto | ZKPSH

U.D. Kryeprokurori i Shtetit thotë se mos ndarja e buxhetit për prokurorë dhe staf shtesë do të sjellë pamundësinë e mbajtjes së seancave

Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate ka njoftuar se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, gjatë Konferencës së Këshillit Gjyqësor “Ditët e Gjyqësorit” ka veçuar mosndarjen e buxhetit nga Qeveria dhe Kuvendi në mesin e sfidave të sistemit prokurorial.

Sipas fjalës së u.d. kryeprokurorit Besim Kelmendi në këtë konferencë, mosaprovimi i kërkesave buxhetore për prokurorë dhe stas shtesë do të pamundësojë mbajtjen e seancave.

“U.D. kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi ka theksuar se si pasojë e mos aprovimit të kërkesave buxhetore për të shtuar numrin e prokurorëve dhe stafit mbështetës do të vije deri të pamundësia e mbajtjes së seancave gjyqësore brenda afateve ligjore, për shkak të numrit disproporcional të prokurorëve dhe gjyqtarëve”– thuhet në komunikatën e datës 29.11.2024.

Tutje, sipas komunikatës, U.d. kryeprokurori Kelmendi ka theksuar rëndësinë e koordinimit në mes të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial, për të garantuar një drejtësi efikase dhe të besueshme në Republikën e Kosovës.

“Në fund, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka falënderuar sistemin gjyqësor dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre gjatë reformës në drejtësi dhe ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë” – përfundon komunikata.

Konferenca e Këshillit Gjyqësor të Kosovës “Ditët e Gjyqësorit”, është organizuar me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Misioni në Kosovë, ku në ditën e dytë të kësaj gjykate kanë marrë pjesë gjyqtarë të lëmisë penale të gjykatave në Republikën e Kosovës.