Foto: KALLXO.com

U.d. drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës: Tre prej policëve të lënduar janë dërguar në QKUK

Tetë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë lënduar sonte, më 13.12.2024, kur automjeti i blinduar në të cilin gjendeshin ka dalë nga rruga në fshatin Grabovc të Zveçanit.

Sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, të gjithë policët janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Për gjendjen e policëve të lënduar të premtën vonë ka folur edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi.

Në një konferencë për media, Nushi tregoi se nga 8 policët e lënduar 3 janë dërguar në QKUK, ndërsa 5 janë lëshuar për në shtëpi.

“Lëndimet e tyre janë fraktura apo thyrje të gjymtyrëve dhe gërvishje sipërfaqësore. Policët e aksidentuar janë të njësisë NJSO” – tha u.d. drejtoresha Laura Nushi.