U.d. drejtoresha e ShSKUK-së: Në Onkologji ka keqplanifikim te furnizimi me barna
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka zhvilluar takim me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Aida Rexhepi dhe me u.d. drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka ngritur dy çështje. Ajo ka kërkuar sqarim për listat e pritjes dhe furnizimin me barna.
Lidhur me këtë U.d. drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, tha se në Klinikën e Onkologjisë ka keqplanifikim sa i përket furnizimit me barna.
“Në Onkologji ka keqplanifikim, mund ta them publikisht” – tha Zejnullahu-Raçi.
Ndërkaq sipas saj furnizimi me barna nuk ka qenë keq për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Është hera e parë që qeveria ka ndarë më së shumti para për barna” – tha ajo.
Ndërsa, kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Aida Rexhepi, tha se bordi aktual është emëruar në mars 2020 në valën më të madhe të pandemisë.
“Menaxhimi i pandemisë ka qenë në nivel përkundër sfidave. Një ndër sfidat ka qenë sigurimi i oksigjenit, sfidë tjetër ka qenë sigurimi i personelit shëndetësor të mjaftueshëm, zgjerimi i kapaciteteve infrastrukturore. Sigurimi i pajisjeve mjekësore furnizimi me pajisje mbrojtëse për personelin dhe dezinfektimi” – tha ajo.
Rexhepi ka përmendur se procedurat e prokurimit janë sfidë tjetër.
“Kjo çështje është diskutua vitin e kaluar se kishte me qenë mirë të hartohet ligj i prokurimit i veçantë për shëndetësi”- u shpreh Rexhepi.
Ajo tha se edhe pajisja e brahiterapisë nuk është përdorur për pak javë shkaku i një vërshimi.
“Ka pas vërshim në onkologji dhe dy deri në tri javë nuk ka funksionu për shkak se është dashtë të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i ambientit”- tha ajo.
Rexhepi tregoi se janë realizua blerje të pajisjeve mjekësore.
Sipas saj ka qenë me rëndësi funksionalizimi i spitalit të fëmijëve. “Është objekt i mirë ka hapësira të mjaftueshme” – tha ajo teksa shtoi se sfidë mbetet ende mungesa e stafit dhe infermierëve.
Ajo ka përmendur disa gjetje prej kohës kur ka ardhur në bord.
“Një e gjetur është material me afat të skaduar në Klinikën e Radiologjisë në vlerë rreth 200 mijë euro. Janë gjetur kontrata të jashtëligjshme dhe janë shkëput ato kontrata. Për shkak të shfuqizimit të organogramit, janë shkëputur ato kontrata. Ende është mungesa e drejtorit të QKUK-së. QKUK me gjithë atë numër të madh të stafit dhe nuk ka drejtor ekzekutiv” – ka thënë ajo.
U.d. Drejtoresha e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi tha se postin e ka marrë që nga 3 gushti 2022. Ajo tha se në periudhën një mujore e ka bërë skanimin e gjendjes.
“Gati të gjitha klinikat janë vizituar” – tha Zejnullahu-Raci.
ShSKUK sipas saj është megastrukturë por e ka në funksion dhënien e shërbimeve për qytetarë.
Sa i përket Onkologjisë, ajo tha se e ka bërë një analizë dyjavore duke konsultu edhe mjekë nga jashtë.
Ajo tha që ka kërkuar të bëhen kartela të pacientëve dhe të përcjellet terapia.
Po ashtu, Zejnullahu – Raçi tha se ka rënë numri i anesteziologëve.