Ilustrim

U bllokuan nga bora në Kurillovë të Vushtrrisë, ndihmohen nga Policia

Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, u ka dalë në ndihmë pesë qytetarëve të cilët me veturë kanë mbetur të bllokuar nga bora në rrugën e fshatit Kurillovë të Vushtrrisë.

Sipas komunikatës, rreth orës 03:00, të datës 8 shkurt 2022, Policia kishte pranuar një  informacion se qytetarët ishin bllokuar në borë.

“Njësitet  policore, menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Kurillovë  që gjendet në një zonë malore dhe një largësi të konsiderueshme nga qyteti i  Vushtrrisë.  Për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme të borës, gjatë rrugës kanë hasur  vështirësi për të qarkulluar më tutje”, njofton PK.

Për të arritur në lokacionin ku ndodhej vetura dhe personat, policia thotë se ka ftuar kompaninë  për mirëmbajtjen rrugëve që të hapë rrugën, më pas policia  kanë arritur t’i gjejnë personat të cilëve u ka ndihmuar të kthehen në qytetin e Vushtrrisë.

“Policia, mbetet e përkushtuar të shërbej dhe t’u dalë në ndihmë qytetarëve në çdo kohë dhe rrethanë”, theksohet në komunikatë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se java e dytë e muajit shkurt do të karakterizohet me mot relativisht të qëndrueshëm, përjashtuar dy ditët e para të javës, ku parashihen reshje shiu dhe bore.

“Temperaturat do të kenë rritje të lehta në të dy vlerat, sidomos nga dita e mërkurë. Minimalet parashihen të ulen deri -3 gradë, kurse maksimalet parashihen të arrijnë deri 11 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-9 m/s”, thuhej në njoftim.