Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

U ankua për notën 6, studentit të Ndërtimtarisë i vendoset notë e dobët - 5

Studenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arbër Hoti, i cili ndjek studimet e nivelit master në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ishte vlerësuar me notën 6 në provimin në lëndën “Hidrologjia II”, të ligjëruar nga profesori Naim Hasani.

Duke pretenduar se nota 6 nuk pasqyronte vlerësimin real të asaj që ai kishte treguar në provim, Arbër Hoti kishte kërkuar komision nga Fakulteti për rivlerësim.

Ai po pretendon se ankesa e tij drejtuar institucioneve ka ndikuar që profesori në sistemin elektronik të studentëve ta notonte me notë të dobët – 5.

“Profesori në fjalë me datë 30.06.2020 ka konfirmuar se unë kam kaluar të gjitha pjesët e provimit në lëndën në fjalë, ndërsa në mënyrë totalisht e papranueshme me datë 03.09.2020 jashtë çdo afati kohor, në SEMS ka vendosur notën 5”, thuhet në ankesën e studentit Hoti, të cilën e ka dërguar  te dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, rektori i UP-së dhe te ministri I Arsimit.

KALLXO.com ka kontaktuar me profesorin Naim Hasani dhe ai ka pranuar që studenti ka kaluar lëndën dhe e ka vlerësuar me gjashtë, por që studenti nuk e ka pranuar atë notë.

“Studenti ka hy në provim edhe ka kalu me shkrim. Në pjesën me gojë kur është pyet nuk ka ditë mjaftueshëm, jam mundu me nxjerr atë pjesë që është kanë me shkrim, mirëpo ai e ka refuzu notën dhe ai ka thanë që ankohna. I kam thane: ankohu. I kam thanë 6 mirëpo ai e ka refuzu, ka thënë që bëj kërkesë, ankohna”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, në raportin e komisionit për vlerësim të provimit të lëndës së “Hidrologjia II” të datës 4 shtator thuhet se komisioni nuk ka marrë përgjigje nga profesori i lëndës në lidhje me punimin e studentit të pjesës me shkrim.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Abdullah Zejnullahu, me kërkesën e studentit ka formuar komisionin për rivlerësim.

“Të njëjtën ditë studenti ka bërë kërkesë për me formu Komision para të cilit do t`i nënshtrohet provimeve nga lëndët e profesorit në fjalë dhe unë si Dekan me kërkesën e studentit kam formuar Komision për t`ia organizuar provimet studentit në fjalë për të gjitha lëndët që ia mban ai profesor. Po ashtu ditën e njëjtë studenti ka bërë ankesë lidhur me notën 5 në vend të 6 sipas studentit. Ankesën e fundit do e trajtojmë në Këshill të Fakultetit dhe pastaj shofim për procedurat tjera”, ka thënë Zejnullahu.

Me kërkesën e studentit Arbër Hoti, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë ka vendosur që tash e tutje studenti në lëndët e profesorit Naim Hasani të vlerësohet nga komisioni.

“Tani studenti provimeve nga lëndët e profesorit në fjalë i nënshtrohet para komisionit në fjalë në afatet e provimeve si për të gjithë studentët”, ka thënë Zejnullahu.

(Raporti është edituar në titull dhe në pjesën ku thuhej se studenti ka refuzuar notën 6)