Tymi i bardhë mbi LDK-në

Mori mbi 64 mijë vota edhe pse u rendit në listën zgjedhore e 81-ta. Ajo rikonfirmoi se është gruaja më e votuar në Kosovë në zgjedhjet nacionale të vitit 2017.

Nga sot, Vjosa Osmani mori edhe një përgjegjësi të re. Ajo u nominua kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ishte deputete e Kuvendit të Kosovës për tri mandate radhazi. Por kjo kohë Vjosa Osmanin e karakterizon me kritika ndaj PDK e në disa raste edhe ndaj shefit të saj – kryetarit aktual, Isa Mustafa e nënkryetarit, Lutfi Haziri.

Ajo u tregua e rreptë ndaj vendimit të partisë për votimin e presidentit Hashim Thaçi dhe lidhjen e koalicionit me partinë e tij që e drejtonte ai.

Kishte deklaruar se koalicioni LDK- PDK është humbje shprese për kosovarët.

Kritikat ndaj presidentit Thaçi ajo nuk i ndali as në mandatin e fundit si deputete, ku kundërshtoi idetë për shkëmbim të territoreve apo “korrigjim të kufirit” siç proklamohej nga i pari i shtetit.

Por, për temën e shkëmbimit të territoreve pati kritika nga vetë kolegët partiakë. Lutfi Haziri, njëri nga ata që përkrah bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë, pati disa mesazhe për Vjosa Osmanin.

Ai e kishte quajtur Osmanin “nuse e Preshevës”,  e cila po “shet mend për përfitim të votave”, kur e kundërshtonte idenë.

“Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën”, kishte shkruar Lutfi Haziri në “Facebook”.

E menjëhershme kishte qenë përgjigjja nga Vjosa Osmanit.

“Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë. Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së”, kishte qenë përgjigja e gruas më të votuar në vend.

Krejt kundërshtimet nga “Facebook”-u, kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së i kishte quajtur ‘diskutime miqësore’.

“Nuk është hera e parë që debatoj me Vjosa Osmanin, por kjo nuk ka të bëjë me përçarje, asnjë lloj konflikti. Nuk është hera e parë që lëshoj statuse me bindjen time, pak më ndryshe se tjera herë”, tha Haziri në intervistën për KALLXO.com.

E të gjitha përballjet publike ndaj njëri-tjetrit, Haziri e Osmani i lanë anash të hënën kur morën një vendim brenda LDK-së.

“Tash me kandidaten e nominuar, që do të jetë kryeministre pa asnjë dyshim aty, ju garantojmë ne të gjithë qytetarëve të Kosovës, që nga kjo minutë deri më 6 tetor do të punojmë që me festu bashkë dhe do ta rikthejmë LDK-në si forca e parë politike”, tha Haziri para gazetarëve.

Vjosa Osmani është profesoreshë universitare dhe vjen nga Mitrovica.

Ajo ka lindur më 1982.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e minatorëve. Për një kohë punoi si përkthyese në UNMIK, ndërsa ishte edhe pjesë së zyrës ligjore të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, atë kohë kur GjND vërtetoi se Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte e ligjshme.

Vjosa Osmani kishte pasur përballje edhe me kryetarin e partisë, Isa Mustafa. Ajo kishte tentuar ta sfidonte Mustafën për të parin e partisë në vitin 2015, por, për shkak të statusit të partisë, nuk kishte arritur që të hynte në garë.

Por përtej ballafaqimeve brenda e jashtë, Vjosa Osmani të hënën u bë kandidate për kryeministre të Kosovës.

VIDEO – Fjalët e para të Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre

www.kallxo.com