Twitter fshin 9,000 llogari që e promovonin partinë e presidentit serb Vuçiq

Rrjeti social Twitter ka njoftuar se ka fshirë pothuajse 9,000 llogari që po promovonin Partinë Progresive në pushtet në Serbi dhe udhëheqësin e saj, presidentin Aleksandar Vuçiq, dhe kështu shkelnin politikën e ndërmarrjeve për manipulime dhe spam, shkruan Balkan Insight.

Twitter ka hequr gati 9,000 llogari që “po punonin për të promovuar partinë në pushtet të Serbisë, Partinë Progresive Serbe”.

“Në fund të vitit të kaluar, ne identifikuam grupe llogarish të përfshira në veprimtari të koordinuar joautentike, e cila çoi në heqjen e 8,558 llogarive që punojnë për të promovuar partinë qeverisëse të Serbisë dhe liderin e saj”, njoftoi Twitter.

Twitter shpjegoi se kishte përditësuar arkivin e saj të “operacioneve të informacionit të mbështetur nga shteti me disa rrjete llogari të fundit që kemi hequr nga shërbimi ynë”.

Këto llogari të identifikuara dhe të hequra ishin të gjitha të lidhura me pesë vende: Egjiptin, Hondurasin, Indonezinë, Arabinë Saudite dhe Serbinë.

Serbia ishte deri më tani vendi kryesor për sa i përket numrit të llogarive të hequra, duke numëruar 8,558. Twitter hoqi 5.350 llogari të lidhura me Arabinë Saudite, 3,104 të lidhura me Hondurasin, 2.541 llogari të lidhura me Egjiptin dhe 795 llogari false të lidhura me Indonezinë.

“Këto sjellje janë në kundërshtim me politikat tona dhe janë një përpjekje e synuar për të minuar bisedën publike”, shpjegoi Twitter.

Sipas politikës së Twitter për manipulime dhe spam, “aktiviteti i koordinuar që përpiqet të ndikojë artificialisht në biseda përmes përdorimit të shumë llogarive, llogarive të rreme, automatizimit dhe/ose skriptimit nuk lejohet”.

Mediat në Serbi shpesh kanë raportuar se aktivistët në internet të Partisë Progresiste Serbe, të ashtuquajturat “bots”, janë shumë aktivë në rrjetet sociale. Disa raportohet se janë punonjës të ndërmarrjeve shtetërore ose institucioneve publike.