Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Tushi refuzon ftesën nga Gjykata Speciale

I ftuari i radhës nga Gjykata Speciale është Fatmir Brajshori, i njohur si Tushi.

Brajshori, përmes një postimi në Facebook, ka treguar për ftesën duke thënë poashtu se ka vendosur që të mos i përgjigjet kësaj ftese sepse, siç shkruan ai, “nuk e njohë Gjykatën Speciale të Hagës”.

“Unë e refuzoj ftesën ngaqë s’kam arsye përse t’i përgjigjem nëse gjatë viteve 1998-2000 s’kam jetuar në Kosovë dhe këtë ftesë dërguar personit tim, do të duhej shfrytëzuar organizatat e dala të luftës, që Gjykatën ta shpallë si inekzistente dhe Kuvendi i ri i Kosovës ta shfuqizojë vendimin që kishte marrë aso kohe, ai Kuvendi i turpit”, ka shkruar Brajshori.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

 

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.