Stamboll - Foto: REL/Shutterstock

Turqia zgjedh udhëtarët e parë që do t'i dërgojë në hapësirë

Turqia ka zgjedhur Alper Gezeravci dhe Tuva Cihangir Atasever si udhëtarët e parë hapësinor të vendit që do të dërgohen në hapësirë në tremujorin e fundit të këtij viti, njoftoi të shtunën presidenti Rexhep Tajip Erdogan, raporton AA.

Duke folur në ngjarjen e madhe teknologjike të vendit TEKNOFEST, ai tha se Gezeravci, një pilot në Forcat Ajrore Turke, do të dërgohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ndërsa Atasever, një inxhinier sistemesh në prodhuesin turk të raketave “Roketsan” në fushën e sistemeve të lëshimit në hapësirë, u zgjodh si kandidat rezervë.

Turqia themeloi Agjencinë Hapësinore Turke në vitin 2018 dhe njoftoi programin hapësinor të vendit në vitin 2019, si dhe misionin hapësinor me ekuipazh.

“Të rinjtë e përzgjedhur do ta çojnë Turqinë në ligën më të lartë dhe do të realizojnë ëndrrën e vendit për pavarësi të plotë” – tha Erdogan, duke shtuar se “Ne kemi luftuar shumë për të krijuar një klimë në vendin tonë ku të rinjtë tanë mund të ndjekin ëndrrat e tyre pa frikë”.

“Ne thyem prangat e prapambetjes në Turqi, ndërtuam infrastrukturën e një Turqie të madhe dhe të fuqishme” – shpti tutje ai.

Erdogan tha gjithashtu se Turqia u bë një shpresë për të gjithë njerëzit e shtypur, duke thënë se “Ne kemi treguar se nuk është fati i kombit tonë të jetojë duke u varur nga të tjerët”.

Për TEKNOFEST, ai tha se është ngjarja numër një në botë për aviacionin dhe hapësirën dhe tha se numri i pjesëmarrësve në manifestim ka ardhur duke u rritur çdo vit që nga viti 2018.

Duke përmendur produktet e fundit të mbrojtjes së vendit, si avioni luftarak pa ekuipazh Kizilelma, avioni luftarak i gjeneratës së pestë TF-X, sateliti IMECE, avionët e lehtë dhe avionët Hurjet dhe helikopteri luftarak shumërolesh i rëndë ATAK-2, ai tha se TEKNOFEST është simboli i të gjitha këtyre zhvillimeve.

TEKNOFEST-i pesë-ditor, i cili filloi të enjten, përmban disa projekte teknologjike dhe produkte të mbrojtjes moderne.